Kryeministri Edi Rama ka mbledhur për herë të tretë pas tërmetit tragjik, Komitetin Kombëtar të Rindërtimit. Takimi po zhvillohet në selinë e qeverisë nën drejtimin e kreut të ekzekutivit. Para takimit të Komitetit të Rindërtimit, në Kryeministri u zhvillua një diskutim mes arkitektëve shqiptarë mbi projektimin e tyre për tre lagjet që do të ndërtohen për strehimin e të prekurve, që janë planifikuar në Durrës, Tiranë dhe në Laç.
“Objektivi është që brenda 2020 të gjithë ata që sot jetojnë në fshat, që për arsye legjitime nuk janë spostuar në sistemin e qirave në zonat urbane dhe thjeshtë kanë kërkuar një çadër, duhet të futen në shtëpitë e reja. Asnjë nuk mundet dot ta lëmë që të kalojë vitin e ri 2021 në çadër.
Ky është objektivi i parë dhe besoj që do të jemi gati që me pranverën dhe maksimalisht marsi të fillojë spostimi i familjeve që jetojnë në fshat, në shtëpitë e reja. Gjithashtu brenda 9 mujorit të parë duhet të rindërtohen shkollat dhe spitalet. Viti i ri shkollor për fëmijët duhet të nisë në shkollat e reja. Lagjet e reja, ambicia është që brenda 6 mujorit të parë ti kemi në kantier, do të kërkojnë më shumë kohë.
Deri në fund të vitit 2021 të kenë filluar akomodimet e banorëve që sot janë me qira. Pika e tretë lidhet me donacionet, pasi u përmendën vetëm të voglat, ata që janë mbledhur nga donatorë të vegjël. Ndërsa donacionet në drejtim të shtetit; kemi 65 lekë të reja nga donatorët e vegjël, kemi 414 mln lekë të reja, 8.64 mln euro dhe 1.6 mln dollarë dhe angazhime të marra të marra nga donatorë ndërkombëtarë, natyrisht kjo është një shifër që do të lëvizë, si rezultat i ndërveprimeve që po bëjmë por edhe me kurorëzimin e konferencës së donatorëve.
Mbetet për t’u parë nëse Konferenca do të përfshirë donatorët jashtë BE-së. Shtuar këtu donacioneve të mbledhura nga organizatat, besoj që do të publikohen në të njëjtën faqe, për të pasur një raport koherence, të kemi një bazë jo të vogël për të ecur me shpejtësi me fazën e rindërtimit” tha ai.


