Për fat të mirë kaluan 3 ditët e çuditë, që u shoqëruan me debatin për fituesen e Festivalit të 58, të këngës në RTSH. Pyetja nëse çmimin e parë duhet ta fitonte Elvana Gjata apo Arielena Ara, u shndërrua në një çështje kombëtare.
Debati mori zjarr në momentin kur u mësua se fituesja e vendit të dytë, na qenkërkash mërzitur aq shumë, sa paskërka bojkotuar jo vetëm skenën në atë moment por edhe post festivalin. Madje më pas, Elvana shkroi se faji nuk paskërkësh qenë i fitueses së vendit të parë… por, ajo dhe një Zot e di se e kujt!
Kaq u desh për tiu sulur jo vetëm asaj, por edhe Alketa Vejsiut, Vera Grabockës, Arilenës po e po, anëtarëve shqiptarë të jurisë, drejtuesve të RTSH dhe kujtdo tjetri, që mendonin se e kishte fajin për këtë gjëmë që na kishte rënë mbi kokë.
Të gjitha u thanë, por meqë askush nuk e përmendi, po bëjmë ndoshta njërën nga ato të paktat pyetje, për të cilën kërkush nuk është kujtuar deri tani: Nëse kjo Elvana është kaq e bindur tek vlerat e saj të jashtëzakonshme artistike dhe të këngës, pse nuk ia la gjykimin në dorë kohës? Mirë juria, Alketa apo Vera mund ta kenë tradhëtuar. Pse nuk u hakmor ajo siç do të bënte çdo divë e vërtetë, duke ia lënë gjykimin njerëzve? Sepse në fund të fundit, historia e ka vërtetuar tashmë se gjykatësi më i mirë, janë: Zoti, koha dhe njerëzit.
Nëse për shkak të momentit ajo nuk ka gjykuar me mendje të ftohtë, dikush tani që gjakrat po ulen, duhet ti thotë se në përgjithësi për konkurset ka një aksiomë: Vendin e parë ta japin, ndërsa vendin e dytë e fiton! Por edhe nëse kjo apo shembujt e shumtë për këtë nuk bëjnë punë, atëherë ti ofrojnë një rast konkret nga festivali.
Vaçe Zela e ka fituar plot 12 herë çmimin e parë në Festivalet e Këngës në RTSH. Por, jo të gjitha këngët fituese i mbahen mend, apo i kanë rezistuar kohës, siç ka ndodhur përshembull me “Valsin e lumturisë”. Është kënduar prej saj ndoshta atëherë kur mund të kenë lindur prindërit e Elvanës dhe Alektës; në vitin 1965, në Festivalin e IV të Këngës në Radio. Sepse ende në Shqipëri nuk kishte lindur televizioni.
Në këtë festival Vaçe Zela nuk fitoi as vendin e parë e madje, as vendin e dytë. Vendin e parë e fitoi Tonin Tërshana me këngën e Tonin Harapit “Të dua o det”. Ndërsa “Valsi i lumturisë” i kompozuar nga Avni Mula, mori vetëm çmimin… e tretë.
Nga kujtimet e bashkëkohësve, e gjithë salla u ngrit në këmbë dhe kërkonte që të mos këndohej siç është tradita, kënga e shallur fituese, por ajo e Vaçe Zelës. Por çfarë bëri ajo? Qau pas kuintave dhe u hakmor siç dijnë të bëjnë vetëm artistët e vërtetë. Vazhdoi edhe për shumë e shumë festivale të tjera, të na dhurojë interpretime të jashtëzakonshme dhe këngë të pavdekshme.
Kaq mjafton për të kuptuar se të mos fitosh çmimin e parë në Festivalin e këngës në RTSH, nuk është fundi i botës. Përkundrazi. E gjitha çfarë po debatohet, tregon vetëm se ka ardhur fundi i vlerave të vërteta artistike dhe i këngëtarëve që dalin në skenën kombëtare për të na dhuruar kënaqësi artistike. Për ta qëllimi është gjithçka. Ndërsa muzika, arti, kultura dhe vlerat janë ASGJË. Thjeshtë një “ZERO me xhufkë”!
Alpenews.al