Fëmijët e Thumanës, të strehuar në Shëngjin, këtë herë u vizituan nga Cirku i Tiranës dhe artistët e Shkollës së Baletit. Me moto thënien e Fjodor Dostojevskit: “Shpirti shërohet duke ndejtur me fëmijët”, Shërbimi Kombëtar për Rininë, ka nisur rrugëtimin “Rikthejmë Buzëqeshjen”.
Fëmijët e prekur nga tërmeti i datës 26 nëntor, të cilët janë strehuar në Shëngjin, sot kaluan një ditë ndryshe. Cirku i Tiranës dhe artistët e Shkollës së Baletit ishin pranë tyre duke organizuar një festë të vërtetë me kërcime, animacione e lojëra cirku.
Për disa orë, fëmijët u kthyen në normalitet duke kaluar çaste argëtimi së bashku me balerinët dhe artistët e cirkut. Në të gjitha strukturat akomoduese ku janë strehuar të prekurit nga tërmeti institucionet kulturore po zhvillojnë aktivitete të ndryshme kulturore e sociale që përfshijnë çdo grupmoshë për t’i rikthyer fëmijëve buzëqeshjen dhe për t’i rikthyer në normalitet.


