Reporteri i New York Times Elian Peltier, ka shpërndarë në Twitter artikullin e krijuar nga media amerikane për pasojat e tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin, në orët e para të mëngjesit të djeshëm.
Elian Peltier në artikullin e realizuar prej tij, i ka marrë një intervistë të shkurtër kryeministrit Rama, ndërsa në disa paragraf e citon kështu “Kemi humbje në jetë njerëzore por gjithashtu kemi shpëtuar shumë të tjerë.”
Sakaq, media amerikane përmend urdhrin e qeverisë për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe zotimin për të ndërtuar të gjitha shtëpitë e shembura dhe ato që janë bërë të pabanueshme si pasojë e çarjes së mureve.
“Mijëra familje qëndruan natën e kaluar nën qiell të hapur, dhe ne nuk mund t’i lejojmë ata të kalojnë dimrin në çadra,” tha zoti Rama në një intervistë telefonike të Mërkurën shkruan NYTimes, ndërsa vijon “Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që të gjithë të kalojnë Krishtlindjen nën një çati”.
Në artikullin e tij, reporteri Elian Peltier kujton dhe tërmetin e fortë të 21 shtatorit 2019, ndërsa citon sërish Ramën “Tërmeti i parë ishte i tmerrshëm, por tani e kuptojmë se sa i vogël ishte krahasuar me këtë.”



