Kryeministri Edi Rama ka thënë sot në prezantimin e platformës “Anti KCK”, se mjekësia nëpër spitale është transformuar dhe se situata është ndryshe, dhe se perceptimi negativ është krijuar për shkak të episodeve sporadike. Rama foli edhe për papunësinë dhe tha se qeveria e tij ka si synim t’a ulë papunësinë në 11%, dhe se problemi qëndron tek të papunët që kërkojnë punësim në shtet. Rama foli për një shumicë dërrmuese të të papunëve, që duan punësim në administratë, duke refuzuar punën në privat.
Në raport me nga jemi nisur, sot, tregojnë se situata s’ka të krahasuar. Na duhet një ekonomi shumë më e fortë, dhe t’ju japë të gjithëve një mundësi. Rritja ekonomike është kokëfortë, siç është kokëfortë edhe e gjithë përbërja e të dhënave të ekonomisë, që lidhet me individin. Le të marrim psh, të dhënat e të ardhurave për frymë dhe të shohim si ato kanë ndryshuar. Shihni vitin 2013, shihni vitin 2019. Le të marrim e të shohim më tutje konsumin, për të vijuar më tutje, shihni familjet me konsum të ulët. Këtu flitet shumë për varfërinë, me të drejtë, për pabarazinë, për shpërndarjen e pabarabartë të ardhurave, por pakkush iu referohet fakteve. Shihni ndryshimin mes 5 viteve më parë dhe sot (Tregon nga tabela). Këto të dhëna nuk i referohen as të MF, të cilat mund të ishin të kontestueshme, por janë të dhëna të BB. Për të vazhduar më tutje, ne e kemi të nevojshme të fokusohemi.


