Ashtu si paralajmëroi nga seanca plenare, kryeministri Edi Rama do të prezantojë ditën e nesërme platformën kundër grupit të strukturuar kriminal që vetë ai e quan KCK. Kreu i qeverisë do të mbledhë strukturat drejtuese të PS-së në orën 10:30 të paradites në ambientet e ArTurbinës. Në këtë takim do të jenë ministrat, zv ministrat, deputetët dhe kryetarët e bashkive.
“Nesër prezantojmë Paketën Speciale AntiKÇK. Një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit. Falë ndihmës së ekspertëve të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafias e krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Duke bërë edhe një koment për sulmin e presidentit Ilir Meta ndaj ambasadorëve, kryeministri Edi Rama thotë se roli i partnerëve ndërkobmëtarë do të provohet edhe një herë në këtë paketë.
“Sot kur partnerët strategjikë të Shqipërisë e ambasadat e tyre janë vënë në shënjestrën e politikës mjerane të të çmendurve nga frika e drejtësisë, Paketa Speciale AntiKÇK do të provojë përsëri se sa të paçmueshëm janë këta partnerë në luftën e Shqipërisë për progres e drejtësi”, thotë Rama.
“Pa mbështetjen e SHBA/BE e ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri,s’do kishte nisur kurrë pastrimi i llumit të madh të (pa)drejtësisë e s’do ishte hapur dot kurrë perspektiva e barazisë së vërtetë para ligjit! Edhe Paketa Speciale AntiKÇK s’do bëhej dot pa ndihmën e tyre”, përfundon kreu i qeverisë.
Kjo platformë kundër grupit “Kap ç’të kapësh” do të jetë një ligj special që sipas kryeministrit Rama, do të tundë themelet mbi të cilat qëndron sot ngrehina e krimit të organizuar në Shqipëri, dhe e prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar.


