E ëma e Ruzhdie Balliut, gruas shqiptare të bllokuar në kampin e Al-Holit në Siri bashkë me të birin, lutet që e bija të kthehet sa më shpejt në shtëpi.
Salushe Seferi, banuese në Librazhd, rrëfen për ”Faxnews” se u emocionua teksa dëgjoi zërin e të bijës pas 6 vitesh.
“Dje i dëgjova zërin vajzës pas 6 vjetësh. Nuk e besoja se vajza ishte gjallë. Ajo është larguar së bashku me bashkëshortin e saj Ali Balliu dhe fëmijët e saj”, thotë Salushe Seferi.
Ruzhdie Balliu u largua në vitin 2013 drejt Sirisë me bashkëshortin dhe të birin. Gruaja tregoi se nuk e dinte ku ndodhej bashkëshorti i saj, ndërsa shpreson të kthehet në atdhe.
Kampi i Al-Holit në Siri u bë i njohur për publikun shqiptar teksa aty qëndronte prej disa vitesh djaloshi shqiptar Alvin Berisha. Ai u shpëtua nga një operacion ndërkombëtar dhe sot ndodhet në Itali me të atin.


