Shqipëria do të hapë zyrën e saj të misionit të OSBE-së në Ukrainë.
Lajmin e konfirmon Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj në profilin e tij në Facebook.
Cakaj nënvizon se nëpërmjet kësaj zyre Shqipëria do të mbështesë Ukrainën në misionin madhor të zgjidhjes së konfliktit me Rusinë si dhe do të adresojë rëndësinë e këtij problemi ndër vendet anëtare të OSBE-së.
Ky vendim vjen në funksion të marrjes së kryesimit të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Europë në vitin 2020.
Mesazhi i Gent Cakajt:
Edhe një tjetër sukses i diplomacisë shqiptare …
Këshilli i Ministrave ka marrë projektvendimin për hapjen e misionit të Posaçëm të Republikës së Shqipërisë në Kiev, Ukrainë. Ky vendim është shprehje e përkushtimit të Shqipërisë për të qëndruar në lartësinë e detyrës përgjatë Kryesisë së OSBE-së 2020!
Qëllimi i tij është përmbushja e një ndër prioriteteve kryesore të Kryesisë shqiptare të rradhës së OSBE-së, që ka të bëjë me situatën në, dhe përreth Ukrainës, krahas konflikteve të tjera të zgjatura të cilat janë në fokus të kësaj organizate.
Shqipëria si vend kryesues i OSBE-së e ka me rëndësi madhore të përcjellë, së pari, tek pala ukrainase mesazhin e rëndësisë dhe vëmendjen që i jep adresimit me qëllim zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, dhe së dyti, tek 56 shtetet anëtare të OSBE-së.
Shqipëria është e angazhuar maksimalisht për një kryesi të suksesshme me besueshmëri ndërkombëtare.


