Është miratuar rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara kundër vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Mes 128 vendeve anëtare që kanë votuar pro kësaj rezolute ishte edhe Shqipëria. Ndërkohë 35 shtete kanë abstenuar dhe 9 vende të tjera kanë dalë kundër rezolutës.
Sipas tekstit të rezolutës çdo vendim për statusin e Jeruzalemit është nul dhe i pavlefshëm dhe se duhet të tërhiqet.
Votimit i Shqipërisë kundra vendimit të SHBA ka ngjallur reagime te politikanët shqiptarë. Ato si përherëherë tashmë e përsëritur ndahen në dy kampe pro dhe kundër. Sic mund të kuptohet, pro ishte vetëm Ministria e Punëve të Jashtme.
Pak pas këtij vendimi, Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar me anë të një deklarate, ku shpjegon pozicionin e Shqipërisë në këtë votim.
“Vota jonë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë cështje. Shqiperia i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër te konsiderueshem dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj te linjëzuar me Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e MPJ.
Të menjëherëshme kanë qenë dhe reagimet kundër këtij vendimi nga emrat e opozitarëve.
I pari që ka reaguar ishte Ish ministri i Jashtëm Tritan Shehu i cili e ka komentuar votimin e Shqipërisë kundra SHBA si një votim edhe kundër interesave të vendit tonë.
Postimi i plotë :
“Votimi i sotem i Shqiperise ne Asamblene e OKB, kunder pozicionit amerikan, nje votim edhe kunder interesave te vendit tone.
Nje votim edhe kunder interesave te Kosoves, te shqiptareve ne Maqedoni, Mal te ZI, Serbi etj.
Nje votim kunder inteteresave tona ne pergjithesi.Nje politike jashteme e pergjegjeshme e cdo shteti, ne radhe te pare eshte ne funksion e mbron interesat e qytetareve e bashkekombesave te tij.”
Pas kësaj edhe deputeti i LSI Petrit Vasili ka komentuar qëndrimin e vendit duke thënë se Vota kundër në OKB tregon se qeverisa ka kapur Shqipërinë.
Postimi i plotë:
“Vota e sotme ne OKB ishte prove e qarte e nje qeverie, qe e konsideron Shqiperine prone te sajen.
Kur eshte fjala per nje propozim qe ben Amerika aleati me i cmuar dhe i pazevendesueshem i Shqiperise kurre vendimi s’mund te jete prone vetem e qeverive shqiptare cilado qofshin,pasi ky vendim eshte prone e Shqiperise dhe shqiptareve kudo qe ata ndodhen dhe duhej konsultuar gjeresisht me ta dhe me SHBA-ne vete.
Shume shtete ne bote ishin dhe jane kunder, por fale Amerikes kemi sot realizimin e nje sfide madhore dhe te paimagjinueshme kurre me pare:nje Kosove te pavarur.”
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i ish ministres së Integrimit Europian Klajda Gjosha.
Votimi kundër Rezolutës së Jeruzalemit është komentuar kështu nga Gjosha:
“Sot është marrë një vendim i rëndësishëm në Asamblenë e OKB-së, ku pjesë e votave kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi statusin e Jeruzaleminit, ka qënë edhe Shqipëria.
Përtej këtij vendimi për të votuar kundër, ajo cka përbën një problem real është që për një cështje me kaq shumë rëndësi, nuk është zhvilluar asnjë lloj konsultimi, as me Kuvendin e Shqipërisë, as me Presidentin e Republikës!
Vota e Shqipërisë nuk është e një individi, as e një institucioni të vetëm, ajo duhet të ishte një votë që përfaqësonte besimin e qytetarëve shqiptarë!“.
Qëndrim të turpshëm dhe pazar e ka cilësuar ish-zv/ambasadori shqiptar në SHBA, Kreshnik Çollaku, votën e Shqipërisë kundër Uashingtonit në OKB, për të njohur Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit, qëndrim i cili sipas tij ka qenë njësoj si Rusia dhe Kina.
Deklarata e plotë:
“Qëndrim i turpshëm. Për herë të parë pas 27 vitesh Tirana rreshtohet kundër SHBA, një veprim sharlatanesk dhe mosmirënjohje kombëtare ndaj SHBA-së, çliruesve të gjysmës së kombit shqiptar. Kjo nuk është një votë që do kalojë lehtë, është një votë që do sjellë komplikime në politikën ndërkombëtare. Shqipëria sot po sillet me SHBA njësoj si Shqipëria e Enver Hoxhës. Trump ka paralajmëruar se do monitorojë vendet që do votojnë kundër dhe rishikojnë marrëdhëniet me vendet që dalin kundër atij vendimi, do ndërpresin ndihmat financiare, programet e financimeve. Ambasadorja e SHBA në OKB ka deklaruar se bashkëshorti i saj është me origjinë shqiptare. Kur partneri strategjik thotë se jam përkrah teje, këta shkojnë pas interesave dhe pazareve të disa sekserëve rajonalë dhe ndërkombëtarë. Shqipëria sot është rreshtuar përkrah Rusisë, Kinës, në krah të vendeve që s’kanë asnjë lidhje dhe demonstrojnë politikën anti-SHBA”, u shpreh Çollaku.
Votën e Shqipërisë kundër Rezolutës së OKB-së e ka komentuar edhe deputeti Luan Rama.
Përmes një postimi në Twitter Luan Rama ka shkruar:“Mungesë transparence, mungesë kordinimi, vendim i pakonsultuar me Kuvendin dhe Presidentin e Republikës.”
Reagim ka ardhur dhe nga Ish-kryeministri Sali Berisha. Ai është shprehur se kjo votë është “një akt i rëndë antikombëtar i klikës së neo-bllokmenëve me në krye Noriegën e Europës”.
POSTIMI I PLOTE
Nje akt i rende antikombetar i klikes se neo-bllokmeneve me ne krye Noriegen e Europes!
Sot klika e noe-bllokmeneve hoxhist, me ne krye bastardin e xhelateve te shqiptareve Koleka, Rama votoi ne OKB, ne traditen aterore, kunder SHBA, vendit i cili nga vitet 20 te shekullit te kaluar deri sot ka luajtur rol percaktues ne lirine e kombit shqiptar.
Duke denuar me ashpersi kete qendrim shtoje se me kete akt politika e jashtme e Shqiperise shnderrohet ne nje politike te mirefillte antikombetare. Ajo perfaqeson interesat e baroneve te droges dhe balozeve neo-bllokmene te krimit dhe jo te shqiptareve. Sb
Ndërsa deputeti i PD Genc Pollo, në një reagim pas votimit të Shqipërisë në OKB, thotë se është “e para herë nga koha e PPSh që Tirana zyrtare pozicionohet kështu”. Sipas tij, nuk ka pasur konsensues edhe brenda mazhorancës.
“Kroacia, Bosnja-Hercegovina, Polonia etj abstenuan ndaj rezolutës anti SHBA, anti Trump në Asamblenë e Pergj të OKB. Pse Qev. Rama duhej të votonte pro?! E para herë nga koha e PPSh që Tirana zyrtare pozicionohet kështu. Pa konsensus edhe brenda mazhorancës,” u shpreh Pollo.
Nuk mund të mungonte dhe një reagim nga Kryemadhi e cila u shpreh se kryeministri votoi kundër dëshirës së SHBA-së duke i futur kështu thikë pas shpine, një partneri strategjik.
Postimi i plotë:
“Asnjë marrëdhënie dhe asnjë raport i Shqipërisë nuk mund të krahasohet me atë me Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat kanë shënjuar momentet më kritike në historinë e popullit tonë dhe ku përjetësisht Amerika ka qenë në anën e Shqipërisë.
E tillë ka qenë Amerika që në kohën kur mbrojti integritetin e kufijve të Shqipërisë, kur mbështeti shembjen e komunizmit, kur nxori Shqipërinë nga kriza e tmerrshme e vitit 97, kur ishte SHBA që anëtarësuan Shqipërinë në NATO, kur ishte SHBA pashaporta e Shqipërisë edhe për Integrimin Europian dhe kur SHBA udhëhoqi një nga arritjet më madhore në historinë e të gjithë Shqiptarëve kudo që ndodhen, duke i dhënë pavarësinë Kosovës e duke e shpëtuar nga kthetrat e genocidit Serb.
Ndaj vendimi për Amerikën s’ka për të qenë kurrë vendimi i një qeverie por përgjegjësi e mbarë shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Pasi kjo maredhenie është një realitet dhe një trashëgimi e pacmueshme.
Trajtimi i votimit në OKB për Jerusalemin duhet të ishte pa as më të voglin diskutim një vendim i të gjithë shqiptarëve dhe ashtu sikur se kemi ndarë shqetësimet tona më madhore duhet ta ndanim edhe këtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të kishim patjetër edhe mendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një vendim vetëm i Ramës është thjesht dhe vetëm krijimi i një paqartësie të madhe, krijim i raportit të dyshimtë dhe ushtrim i njëanshëm i një përgjegjësie, që nuk është ase Kryeministrit dhe e asnjë ministri pasi marrëdhënia me Amerikën do të jetë madhore,strategjike dhe e patjetërsueshme cilido qoftë kryeministri, ministri apo pushtetari i radhës.”
Përgatiti AlpeNews.al


