Takimi i parë zyrtar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut Mitsotakis është shtrirë në disa tema diskutimi. Mediat greke kanë zbuluar çfarë është diskutuar mes dy krerëve të Shqipërisë dhe Greqisë, ku sigurisht në qendër të vëmendjes ka qenë çelja e negociatave për Shqipërinë me BE.
Për të filluar bisedën, Mitsotakis ka hedhur hapin e parë duke e pyetur Ramën lidhur me tërmetin 5.8 ballë i cili jo vetëm tronditi Shqipërinë, por dhe u ndoq me mjaft interes nga vendi fqinj. Kryeministri grek u shpreh i gatshëm të ndihmonte Shqipërinë në rast emergjence ndërsa Rama i tha se nuk ka pasur të vdekur por që mund t’i kërkonte ndihmë edhe Greqisë, siç ka bërë Shqipëria edhe më parë. Sigurisht për këtë të fundit mori dakordësinë e plotë nga Mitsotakis.
Më pas takimi është fokusuar tërësisht tek çelja e negociatave për Shqipërinë. Kur kanë mbetur më pak se një muaj nga data 18 tetor e cila do të shënojë fatin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian, Mitsotakis u shpreh se e mbështet një gjë të por me kusht që të plotësohen të gjitha kushtet që BE i ka vendosur Shqipërisë për t’i plotësuar.
Kryeministri grek nuk ka harruar t’i përmendë çështjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, dhe sidomos ato pronësore, për të cilën Rama sipas mediave greke është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë.


