I vetëm, në këmbë, me letra në duar dhe pa shoqërinë e avokatit Maks Haxhia, ish-ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri mbërriti pranë hotel “Rogner”, për të nisur deklaratën për mediat pas vendimit të Gjykatës për Krime të Rënda që e dënoi me 3 vjet shërbim prove vetëm për shpërdorim detyre, dhe jo trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.
Gjykata shpalli të pafajshëm Saimir Tahirin për akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, duke e shpallur fajtor vetëm për një akuzë të re të ngritur prej saj, për shpërdorim detyre. Kështu, Tahiri u dënua për këtë vepër me 5 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar arrin në 3.4 vite burgim. Edhe këtë dënim Gjykata e konvertoi në shërbim prove 3 vite me kusht për të mos kryer vepër tjetër penale brenda kësaj periudhe. Sipas vendimit, Tahiri për 3 vite nuk duhet të kryejë funksione publike. Me këtë vendim, ish-ministri i Brendshëm nuk kryen asnjë ditë burg.
“Bëra gabimin më të madh që thash se në cilën përmasë mbillje kanabisi në Shqipëri, duke e luftuar në cdo cep, ndërhyra në kanabis. Duke ditur që po ta luftoja në cep do thonin obobo c’bëhet me gjithë këtë kanabis. Por ka qenë aty. Unë sot akuzohem për shpërdorim detyre dhe unë mbrojtjen për këtë akuzë do e bëj sic më takon dhe do përballem edhe me këtë akuzë.
Ka pasur Shqipëria ministra të brendshëm të tjerë, ministra, kryeministra të tjerë. Një ministër i brendshëm kur u vranë 4 qytetarë këtu jashtë nuk u akuzua për shpërdorim detyre, dhe as kryeministri kur tha se Lazaratin e lashë të mbillej se ashtu ishte politika ime, as ministri i Mbrojtjes kur la 28 të vdekur në Gërdec. Më intereson vetëm e vërteta ime dhe do t’i shkoj deri në fund. Më takon të rri e të pres. Të marr vendimin e zbardhur të gjykatës, dhe ta apeloj urgjentisht. Të përgjigjem me përulësi për cdo akuzë vetëm me të vërtetat e mia para drejtësisë dhe para publikut. Ka shumë qytetarë që sot më besojnë dhe unë i falenderoj. Ka qenë sakrificë. Ka plot që s’më besojnë, edhe ata i falenderoj”


