12 shtator 1998 do të shënonte vrasjen e shekullit duke tronditur opinionin publik dhe politikën shqiptare.
Azem Hajdari lideri i lëvizjes studentore 90, ekzekutohej pak metra nga selia e partisë demokratike.
Për këtë krim me burgim të përjetshëm është dënuar Jaho Salihi Mulosmani, Ismet Haxhia i cili tashmë ka lënë qelinë dhe Izet Haxhiaj ish truproja presidentit Sali Berisha.
Por pas 21 vitesh nga ky krim, drejtësia shqiptare ende s’ka një vendim final se cila është lidhja e Izet Haxhisë me këtë krim.
Nëse më parë ai ishte dënuar në mungesë me 25 vite burg pak muaj më parë ai arriti të fitoj në shkallë të parë dhe apel të drejtën e rigjykimit.
Çfarë ndodh sot me procesin Hajdari?
Sipas materialit të siguruar nga ReportTv për këtë dosje janë kryer 6 seanca dhe të premten më 13 shtator do të zhvillohet seanca e shtatë.
Aty ku në cilësinë e trazhgimtarëve të viktimave, familja Hajdari nuk është paraqitur në asnjë seancë.
Në një reagim për Report Tv avokati i Izet Haxhisë, Bashkim Nikolli thotë se kërkon gjyqtar që të kenë kaluar Vettingut.
I pyetur se si është përfshirë Haxhiaj në këtë proces pasi ai pretendon pafajsinë, Bashkim Nikolli sqaron se ka qenë ish presidenti Berisha që e ka përfshirë.
Bashkim Nikolli hedh poshtë mundësinë e një gjykimi të shkurtuar në këtë proces duke deklaruar se do të përballen e ballafaqohen me të gjitha provat e faktet.
Në gjykatë është depozituar edhe kërkesa për të ftuar mbi 40 dëshmitarë të kohës nga ish presidenti Berisha, kreu i SHIH asokohe e zyrtarë, gazetar e persona publik, ndërsa gjykata ende s’ka marrë vendim nëse do të pranoj apo jo këtë kërkesë.


