Rruga e lumit të Vlorës, ku ka mbaruar segmenti i parë dhe ka nisur i dyti, po sjell një transformim rrënjësor, jo vetëm të infrastrukturës, por edhe të hapësirës urbane dhe turistike. Rruga e Lumit të Vlorës është një prej investimeve strategjike me impakt të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik e social për të gjithë zonën.
Kryeministri Edi Rama ishte sot Vlorë, ku dhe inspektoi ecurinë e punimeve, si dhe u takua me banorë të zonave përreth.
“Është një super rrugë, – u shpreh kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, – Një ëndërr që kur isha unë fëmijë dhe sot jam 50 vjeç, gjithashtu ëndërr dhe nga gjyshërit e mi dhe prindërit e mi po ashtu.”
Rruga e Lumit të Vlorës, 94 km fillon nga Bypass i Vlorës – Peshkëpi – Ura e Gjormit – Brataj –Ura e Kudhësit- Qeparo, degëzimi për në fshatin Kuç, si dhe segmenti nga Rreth-rrotullimi i Peshkëpisë – Selenicë – superstrada Levan -Tepelenë. Ky aks përshkon fshatrat Peshkëpi, Kote, Gjorm, Lepenicë, Kallarat, Brataj, Kuç, Kudhës dhe përfundon në Qeparo.
“Kjo hap një pamje tjetër, një Shqipëri tjetër për të gjithë ata që s’kanë kaluar këtej ndonjëherë, është një spektakël i madh nga ana e natyrës, gjithashtu do hapi shumë mundësi për bujqësinë, për blegtorinë, për turizmin. Dalja poshtë në breg është shumë fantastike dhe lidhja me Gusmarin dhe Kuçin poshtë.” -u shpreh Kryeministri Rama.


