Santiago Malko, i cili mbeti i vrarë pas atentatit mbrëmjen e djeshme në zonën e Xhamllikut, nuk ishte një emër i panjohur. Malko, ish-punonjës policie, ka qenë më parë i arrestuar dhe i shpallur në kërkim për shkak të përfshirjes së tij në ngjarjen e 4 tetorit në ish-bllok, sëbashku me mikun e tij Ervis Martinaj, ku mbeti i vrarë një person dhe dy të tjerë të plagosur.
Më 2016, Malko gjithashtu është përfshirë në një konflikt me vëllezërit Edmond dhe Gentian Lashi, 34 e 26 vjeç, ku konflikti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi të pakthyer.
Vëllezërit Lashi dhe ish polici, kanë pasur në pronësi, lokale bastesh sportive në të njëjtën zonë, por sipas Policisë konflikti kishte ndodhur në lokalin e Edmond Lashit. Mësohet se dy vëllezërit i kanë pasur borxh një shumë prej 1 mijë eurosh Santiago Malkos.
Santiago dyshohet se ka pasur disa konflikte në Tiranë, si dhe merrej me gjobëvënie. Pikërisht hakmarrja është pista kryesore e hetimeve.
Mbrëmjen e djeshme, autorët i kanë zënë pritë të riut, duke e qëlluar 9 herë. Policia ka sekuestruar disa pamje filmike në zonë, por dyshohet se pasi dogjën makinën, vrasësit kanë përdorur një automjet tjetër për tu larguar. Autorët kanë përdorur një kallashnikov për të kryer vrasjen.
Sipas policisë kemi të bëjmë me një vrasje tipike mafioze.



