Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme në Lezhë një takim me drejtuesit e qarqeve veriore të Partisë Socialiste. Burime bëjnë me dije për gazetaren e Report Tv Klesiana Omeri se në këtë mbledhje Rama ka udhëruar shkarkimin shumicës së drejtorëve rajonalë në qarkun e Shkodrës.
Ditën e nesërme në orën 17:00 Rama do të zhvillojë një takim me drejtorët e qarkut të Shkodrës, ndërsa në orën 18:00 do të mbledhë edhe kryesinë e PS ku do të vendoset caktimi i drejtuesit të ri politik në qarkun e Shkodrës. Ky vendim vjen pas largimit të Valdrin Pjetrit nga posti i koordinatorit të qarkut të Shkodrës dhe tërheqjes së tij nga marrja e postit të kryebashkiakut në këtë qytet.
Pjetri Akuzohet nga PD se ka qenë i dënuar në Itali dhe këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekriminalizmit përpara kandidimit për postin e kryebashkiakut të Shkodrës. PD ka publikuar disa dokumente nxjerrë nga kuestura e Firences, që tregon se kryebashkiaku i Shkodrës Valdrin Pjetri ka qenë dënuar në Itali me 18 muaj burg dhe një mijë euro gjobë për shpërndarje droge.
Pjetri i ka mohuar edhe akuzat ndaj tij, ndërsa në një reagim publik kryeministri Edi Rama është shprehur se deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht.
Në takimi me drejtuesit e qarqeve veriore kryeministri Rama është ndalur veçanërisht tek bashkitë që kanë qenë drejtuar nga Partia Demokratike duke u rikujtuar kryebashkiakëve të rinj që të mos largojnë njerëzit nga puna.
Po ashtu një fokusim të gjerë në takimin e mbajtur jashtë ‘syrit’ të kamerave është folur edhe për administratën duke thënë se duhen persona të kualifikuar.
Pak kohë më parë tre figurat qendrore të Partisë Socialiste kanë marrë përsipër të menaxhojnë 12 qarqet e vendit sa i përket koordinimit politik. Bëhet fjalë për Edi Ramën, Gramoz Ruçin dhe Taulant Ballën të cilët do të drejtojnë nga katër qarqe secili.
Kështu, Edi Rama do të drejtojë rajonin Lezhë-Shkodër-Dibër-Kukës. Shqipëria e Mesme i është besuar Taulant Ballës. Numri dy i PS do të koordinojë qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë. Ndërsa Kryetari i Kuvendit, është vendosur koordinatori rajonal i Fierit, Beratit, Vlorës dhe Gjirokastrës. /Shqiptarja.com


