Partia Demokratike, nën drejtimin e Lulzim Bashës, vijon të mbetet një ndër subjektet politike më problematike sa i takon transparencës me shpenzimet dhe burimet financiare gjatë viteve zgjedhore dhe jo zgjedhjeve. Përpos lobimit rus në SHBA në periudhën zgjedhore të vitit 2017, duke fshehur financimin prej 650 mijë dollarë, ku për rrjedhojë është marrë i pandehur Lulzim Basha, Partia Demokratike nuk deklaron pranë organeve kompetence as shpenzimet dhe burimin e financimit të degëve të saj. Partia Demokratike ka 53 degë në të gjithë Shqipërinë. Çdo degë e PD ka një numër të konsiderueshëm njerëzisht, të cilët ushtrojnë veprimtarinë në bazë të statutit të partisë, me një kosto të caktuar financiare. Konkretisht, çdo degë e PD ka kryetarin e saj, nënkryetarin, një sekretar, katër sekretarë funksionalë, një bord me këshilltarë, një aparat administrativ si dhe një bord financiar bashkë me kryetarin e tij. E gjithë kjo administratë ka një kosto financiare. Por sipas raportit të auditimit të pasqyrave financiare të Partisë Demokratike për vitin 2018, kjo e fundit nuk ka paraqitur të ardhura dhe shpenzime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 53 degëve të saj. Auditimi është krye nga audituesja ligjore Silvana Gjikdhima në 20 maji të 2019, për vitin 2018. “Partia Demokratike nuk ka paraqitur të ardhura dhe shpenzime për degët e saj. Ne kemi audituar pasqyrat financiare të PD, të cilat përbëhen nga bilanci kontabël i datës 31 dhjetor 2018, pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve dhe pasqyra e flukseve të parave për vitin që mbyllet në këtë datë si shënimet për pasqyrat financiare, përfshirë një përmbledhje të politikave kontabël më të rëndësishme. Sipas opinionit tonë, me përjashtim të parregullsive më sipër, pasqyrat financiare japin një pamje të vërtetë dhe të sinqertë të PD me 31 dhjetor 2018, të rezultatit të saj financiar dhe të flukseve të parave të saj për vitin e mbyllur financiar, në përputhje me kuadrin financiar të raportit të partive politike”, thuhet në raport.
Çfarë parashikon statuti i PD?
Basha për financat
Në një kohë kur nuk deklaronte asnjë shpenzim për 53 degët, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, prezantoi në fund të vitit të kaluar një platformë, për zgjedhje të lira e të ndershme. Në këtë kuadër Basha propozim financim 100 % nga shteti të partive politike në fushatat zgjedhore. “Gjëja më e rëndësishme është ndarja e politikës me krimin. Së dyti, sistemi i masave kundër shitblerjes së votës, e cila është evidentuar si problemi kryesor në raportin e OSBE-ODIHR. Blerja e votës, jo vetëm do të konsiderohet korrupsion zgjedhor, por kërkon një sërë masash që duhet të nisin që në gjenezën e procesit të blerjes së votës, jo pak javë para, por deri në 12 muaj para zgjedhjeve. Së treti, financimi i partive, financim shtetëror 100% i fushatës, ndërkohë që kompanitë që financojnë partitë e kandidatët të përjashtohen nga tenderat e koncesionet. Dhe së katërti, përdorimi i teknologjisë në votim, numërim dhe votim elektronik”, tha Basha.
Fshehja
Sipas raportit të auditimit të pasqyrave financiare të Partisë Demokratike për vitin 2018, kjo e fundit nuk ka paraqitur të ardhura dhe shpenzime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 53 degëve të saj.
Statuti i PD
Statuti i Partisë Demokratike, në nenin 43, parashikon mënyrën e financimit të strukturave vendore të kësaj partie, duke përfshirë edhe administratën e degëve.
Kuvendi detyrë KQZ: Kontrollo shpenzimet e partive
Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që gjatë vitit 2019 të hartojë metodologjitë e kontrollit dhe verifikimit të shpenzimeve të financimeve të partive politike. Në rezolutën për veprimtarinë e KQZ për vitin 2018, Kuvendi i ka lënë disa detyra komisionit, për t’i realizuar për vitin 2019. Detyrat dominohen nga kërkesa për të forcuar kontrollin e financave të partive.
Detyrat e Kuvendit për KQZ
– Të marrë masa të përshtatshme dhe proporcionale për monitorimin nga afër të kushteve dhe kritereve ligjore për financimin publik e privat të fushatës zgjedhore të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje;
-Të hartojë metodologjitë e kontrollit dhe verifikimit të shpenzimeve të financimeve të partive politike dhe fushatave elektorale, brenda dhe jashtë vendit, duke shqyrtuar edhe mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me autoritetet përgjegjëse që kontrollojnë pastrimin e parave dhe financimet e kundërligjshme. Të përmirësojë shqyrtimin administrativ të verifikimit të financimeve të fushatave zgjedhore jo vetëm mbi bazën e deklarimeve të subjekteve zgjedhore, por edhe mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve të deklaruara apo të bëra publike, duke referuar në eksperiencat e vitit 2018;
-Të ngrejë mekanizmat e monitorimit të fushatës në media, të sigurojë transparencën e
rregullave të monitorimit të mediave, të reagojë në kohë dhe t’u kundërpërgjigjet me masa të shpejta, proporcionale dhe efikase praktikave që prishin barazinë ligjore të fushatës mediatike;
-Të përpunojë strategjitë e përshtatshme të edukimit zgjedhor në përgjigje të rrethanave specifike politike;
-Të lehtësojë procedurat për akreditimin e vëzhguesve, me qëllim rritjen e transparencës së procesit zgjedhor dhe mbulimin kapilar të tij;
-Të marrë masa të përshtatshme dhe proporcionale për monitorimin nga afër të përdorimit të burimeve shtetërore dhe të ndërhyjë në kohë reale pranë institucioneve publike për ndërprerjen dhe korrigjimin e praktikave të kundërligjshme në këtë drejtim;
-Në rast të masave ndëshkimore me gjobë, ndaj subjekteve zgjedhore, për shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor, të nisin menjëherë procedurat e mbledhjes së detyrimeve financiare;
-Të synojë në një sjellje institucionale për sa i takon vendimmarrjes, në funksion të ruajtjes së pavarësisë dhe referim në dispozitat ligjore, në plotësim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe të sigurojë në të ardhmen interpretimin dhe zbatimin me paanësi dhe të njëjtë të ligjit;
-KQZ të vlerësojë hapësirat, brenda të cilave mund të ndikojë në rritjen e pjesëmarrjes dhe sensibilizimin për këtë qëllim të pakicave dhe minoriteteve.


