Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka cituar aktorin e mirënjohur Marin Orhanasi në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar.
Në postimin e tij, Rama citon Orhanasin, i cili thotë se duhet një teatër i ri dhe dinjitoz. Marin Orhanasi shprehet se e njeh mirë teatrin e vjetër dhe se fatkeqësisht godina e vjetër është në kushte tepër të këqija, prandaj duhet një ri, që të mund të ndihen më së miri aktorët dhe publiku.
“Marin Orhanasi është një nga aktorët më të talentuar të brezit të ri që i madh e i vogël sot e njeh dhe e duartroket me entuziazëm. Ai ka performuar mbi 30 premiera në Teatër e siç e shpreh dhe vetë, nuk ka lënë gozhdë e hekur pa shtrembëruar aty me kokën e tij. Ai numëron të ketë dhjetë lloje akrepash në atë godinë e madje duke qeshur tregon edhe për gjarpërinjtë që ishin mësuar t’ju kthenin përgjigje kur ai bashkë me Luftar Pajën u fishkëllenin🙈. Ja si e argumenton Marini nevojën për një Teatër të ri Kombëtar në vend të gërmadhës ekzistuese👇”
MARIN ORHANASI:
Shyqyr o Zot që nuk ka rënë ende ai teatër e faleminderit që rezistoi deri tani. Por për mua duhet teatër i ri dhe dinjitoz. Se kush e bën nuk është kompetenca ime dhe nuk mendoj se artisti duhet të merret me këtë. Pse të mos e lë edhe unë emrin në një teatër të ri e modern? Ai teatër legjendar që është i tillë nuk u bë nga ndërtesa, është bërë nga emrat e aktorëve. Unë nisem nga logjika që do të jetë një sallë dinjitoze dhe që duhet një teatër i ri, kjo është e sigurt. Duhet të kuptoni, heronj nuk janë vetëm aktorët, janë edhe spektatorët, sepse ajo sallë as nuk ngrohet dot e as nuk ftohet dot. Ja pse sezoni i shfaqjeve është me ndërprerje, që nuk duhet të jetë kështu.
unë si Marin dua një të ri, sepse e di si është i vjetri dhe i njoh kushtet mjerane të tija.


