
Sipas prokurorisë së posaçme të Kosovës, Kenan Plakaj kishte prodhuar mjete shpërthyese, kurse Besart Pecit i janë gjetur armë automatike dhe rreth 90 fishekë.
Më herët fajësinë e kishte pranuar i akuzuari Arton Ahmeti. Të tre këta janë pjesë e grupit prej 9 personash ndaj të cilëve në prill të këtij viti ishte ngritur aktakuzë, nën dyshimet për planifikim të sulmeve terroriste në nëntor të vitit të kaluar gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.

Policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit.

Në akuzë thuhet se se dy të pandehur, “gjatë muajit tetor 2016, sipas kërkesës së të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë, në atë mënyrë që, sipas marrëveshjes me të njëjtin, kanë planifikuar ta bëjnë sulmin terrorist – atentat në ndërkombëtarët ose zyrtarët të institucioneve të sigurisë”.
Në parnverën e këtij viti, familjarët dhe autoritetet e policisë thanë se Lavdrim Muhaxheri është vrarë në Siri.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.
Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. Rreth 60 veta kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme.
VOA


