Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi ka zhvilluar një takim me familjen e turistëve spanjollë, që ditën e djeshme u dhunuan nga Mihal Kokëdhima, pronari i një restoranti në Porto Palermo.
Lajmin e ka bërë me dije vetë Klosi, me anë të një postimi në rrjetet sociale. Ministri shprehet mes të tjerash, se ajo që përjetuan dje pushuesit nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve.
“Në mëngjes me familjen e pushuesve nga Spanja, që dje përjetuan një eksperiencë konflikti në Himarë, që nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve. Por siç e tha edhe përfaqësuesi i familjes Galdon, një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë, sikundër vlerësoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe interesimin e drejtëpërdrejtë të qeverisë”, shkruan Klosi.
Ndërkohë, ajo që vihet re nga fotot e publikuara, ministri i ka dhuruar një buqetë me lule, zonjës së familjes.
Kujtojmë se ditën e djeshme 51-vjeçari Mihal Kokëdhima, pronari i restorantit “Panorma”, në Porto Palermo të Himarës, u konfliktua me turistët spanjollë, ndërsa ushtroi edhe dhunë ndaj tyre.
Sakaq, sot policia njoftoi se 51-vjeçari është arrestuar, ndërsa rasti i është referuar prokurorisë.





