Në një dalje për mediat, zëvendëskryeministri, Erjon Braçe, deklaroi se në tregun e karburanteve vazhdon të gëlojë paligjshmëria në aspektin fiskal. Kjo paligjshmëri, tha Braçe, është bërë aq e gjerë deri në kufijtë e krimit.
Braçe: Administrata tatimore ka zbuluar shkelje të rënda të ligjit në kufijtë e krimit, veçanërisht në skemën kriminale dhe të qëndrueshme të kalimit dhe operimit me kasat në regjimin manual të ndaluar rreptësisht nga ligji. Janë zbuluar diferenca të thella të pamenduara të litrave të regjistruara në pompa të shituara prej tyre me litrat e regjistruara në kasat fiskale që dëshmojnë për evazion fiskal të fuqishëm. Diferencat arrijnë në mijëra ton në harkun kohor nga vjeshta e 2017 deri më sot.Diferenca në litra për çdo pompë do ti nënshtrohet detyrimeve fiskale litër për litër deri në qindarkën e fundit ndërkohë të gjithë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale duke nisur nga dy të parët që janë vënë në pranga shtuar me administratorë kompanish, administratorë të pikave të karburanteve dhe administratorë dhe përgjegjës të kompanive të kasave fiskale duhet ti jepen drejtësisë pavarësisht emrit, madhësisë së kompanisë, parave që kanë akumuluar, miqve dhe shokëve në politikë, drejtësi dhe jo vetëm.


