Kryeministri Edi Rama ka vijuar të komentojë çështjen e Teatrit Kombëtar.
Shefi i qeverisë ka publikuar reagimin e aktorit të njohur Niko Kanxheri:
“Krijues i shumë personazheve të veçantë, në skenë dhe në ekran, Niko Kanxheri ka dorën e tij si pedagog edhe në formimin e shumë aktorëve të rinj në vite.
Asnjëherë i zhurmshëm, po shpeshherë i pranishëm me rolet e tij në veprat e suksesshme të teatrit e të filmit shqiptar, Niko Kanxheri ka qenë i pranishëm edhe në debatin për godinën e teatrit, ku padiskutim e drejta qëndron në krahun e shumicës dërrmuese të komunitetit teatror, pjesë e së cilës është edhe ai.
Si gjithnjë thjeshtë, por në mënyrën e tij të veçantë, aktori i spikatur ka formuluar edhe opinionin për këtë çështje.
Niko Kanxheri:
Teatri Kombëtar për mua duhet bërë i ri.
Nostalgjia për dy godinat e ndërtuara për të qenë provizore, duhet të zhbëhet.
Mua po ma ndërtojnë shtëpinë time moderne, të bukur, të mirë, komode dhe papritur unë nxjerr një arsyetim të ri, se çfarë duan ato kulla atje. Janë dy probleme që nuk qëndrojnë bashkë, brenda tyre është një justifikim.
Godina në vetvete nuk sjell nostalgji, historia e Teatrit Kombëtar do të mbetet e dokumentuar me arkivën, fotot e shfaqjeve, dekoret, kostumet, muzikën etj. Ç’lidhje ka me mua kulla?!”, nënvizon Rama.


