Presidenti Ilir Meta duket se ka mbetur i vetëm në luftën me qeverinë, ndërkombëtarët dhe reformën në drejtësi. Përveç kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha që është distancuar nga 13 tetori, ajo që vihet re është fakti se Presidenti Meta nuk po gjen as mbështetjen e ish-kryeministrit Sali Berisha. Prej gati një muaj kreu i shtetit del në konferencë shtypi një herë në dy ditë, ndërkohë që është shumë aktiv në rrjetet sociale, duke sulmuar këdo që i del përpara, ndërsa nuk ka fshehur edhe dobësinë që ka për Berishën. Por ky i fundit, jo vetëm që ka qenë në heshtje gjatë këtyre ditëve, por është distancuar nga kreu i shtetit. Kur mori vendimin Meta që anuloi zgjedhjet dhe nxori dekret të ri, Berisha doli hapur krah tij, madje burimet i pohuan gazetës se ai po i ushtronte presion Bashës, në mënyrë që ky i fundit të përkrahte kreun e shtetit në betejën e tij me mazhorancën dhe ndërkombëtarët. Ndërkohë që, tani Berisha duket se ka lënë në baltë Metën, pasi edhe në rrjetet sociale, poston statuse denoncuese të “qytetarit dixhital”, ndërsa në asnjë nga reagimet e tij nuk përmend Metën apo edhe 13 tetorin. Po çfarë po ndodh realisht me Berishën? Burime nga selia blu theksuan për gazetën se heshtja e Berishës është e paramenduar. Mësohet se Berisha është distancuar nga Meta, pasi retorika e ashpër e tij kundër ndërkombëtarëve dhe reformës në drejtësi, mund të rezultojë fatale jovetëm për kreun e shtetit por edhe për vetë ish-kryeministrin. Pra, Berisha i druhet një efekti domino, sikundër është rreshtimi kundër i ndërkombëtarëve. Dihet fakti që sulmet ndaj diplomatëve dhe reformës në drejtësi nuk tolerohen nga ndërkombëtarët. Kështu që, duke qenë se Berisha aludohet se i është refuzuar viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është tërhequr nga presidenti, në mënyrë që edhe familja e tij të mos ketë fatin e tij, duke u shpallur “non grata” nga SHBA, pse jo edhe nga BE. Ndërkohë që, të vetmit që i kanë dalë në krah Metës janë nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili dhe zyrtarët e kësaj partie, si dhe disa nga aleatët e Bashës. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Meta i thur elozhe dhe kërkon ndihmën e Berishës
Presidenti Ilir Meta asnjëherë nuk e ka mohuar dobësinë që ka për ish-kryeministrin Sali Berisha. Të njëjtën gjë e bëri edhe pak ditë më parë, ku shfaqi hapur marrëdhënien e ngushtë që ka me ish-kryeministrin Berisha, të cilit i kërkoi ndihmë për situatën politike në të cilën ndodhet vendi. Berisha është distancuar kohët e fundit nga Meta dhe këtij të fundit i ka mbetur vetëm LSI-ja dhe disa nga aleatët e Bashës. Por megjithatë, teksa iu përgjigj kryeministrit Rama, i cili, gjatë konferencës i kujtoi presidentit klinikën, Meta deklaroi se gëzon shëndet të plotë dhe se nëse do ketë nevojë shkon tek doktori. “E falënderoj për solidaritetin, por po të kem probleme shëndetësore shkoj te doktori, unë nevojë për piktura nuk kam, se kam shumë, por ndonjë gjë të veçantë edhe mund ta pranoj prej tij. Sa i takon parametrave janë në përmirësim. Jam gati për majën e Korabit, nëse ka dëshirë, të na bashkëngjitet”, deklaroi Meta.


