Aleatët i kanë dalë kundër kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në rrugën që ka nisur kundër qeverisë dhe aksionit opozitar. Edhe pse u dakordësuan për djegien e mandateve dhe braktisjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, aleatët e PD kanë shfaqur dje kritika ndaj lidershipit të opozitës. Njëzëri ata mendojnë se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit, pasi respektojnë dekretin e Presidentit Meta, duke tradhtuar kështu Bashën, i cili këmbëngul se nuk hyn në zgjedhje për sa kohë Edi Rama do të jetë kryeministër. Fillimisht, ka qenë kreu i PDK, Nard Ndoka, i cili gjatë një prononcimi për mediat deklaroi se zgjedhjet e 30 qershorit ishin ilegjitime, ndërsa theksoi se e vetmja datë që ata pranojnë është 13 tetori. Sipas tij, në 13 tetor opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje edhe me Edi Ramën kryeministër. “30 qershori si datë zgjedhjesh ka rënë. 13 tetori një datë legale që na detyron të marrim pjesë, por ne jemi në një pushtet xhungël. Partitë politike nuk janë parti private, jemi në një kuadër grushti shteti. 13 tetori dhe pse është legjitim është në kufijtë e pamundësisë nga papërgjegjshmëria e politikës. Rama po apo jo kryeministër nuk ka shumë rëndësi, pasi në 30 qershor shqiptarët e bojkotuan dhe e ndëshkuan”, deklaroi Ndoka. Ndërsa kreu i PAA, Agron Duka deklaroi se dekreti i Presidentit për 30 qershorin duhet respektuar nga të gjitha palët. “30 qershori nuk mund të quhet ditë zgjedhjesh por ditë votimesh. Zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse, pasi mazhoranca njeh zgjedhjet e 30 qershorit, por dekreti i Presidentit nga opozita duhet respektuar, por palët duhet të ulen në negociata për një marrëveshje. Dhe nëse ne regjistrohemi nuk zgjidhet problemi por nëse opozita vendos të regjistrohet unë do i bindem. Këto ditë do të bëjmë një takim për të vendosur unifikim. Opozita është përballë një udhëkryqi por nga ana tjetër 13 tetori nuk është zgjidhje por do kemi votime”, deklaroi Duka. Ndërkohë, kreu i PR, Fatmir Mediu deklaroi së opozita duhet të regjistrohet në zgjedhjet e 13 tetorit sepse duhet respektuar dekreti i Presidentit Ilir Meta. Ai shprehet se hapja e negociatave është përgjegjësi e të gjithë klasës politike në vend. “Ka një datë zgjedhjesh lokale të përcaktuar nga Meta dhe OSBE-ODHIR, e ka thënë që Gjykata Kushtetuese mund ta hedh poshtë. Ne si opozitë duhet të regjistrohemi në zgjedhjet e tetorit, pasi nuk kemi asnjë alternativë tjetër dhe duhet të respektojmë dekretin e Metës. Opozita duhet të jetë e organizuar për të mos i lënë bashkitë të shkojnë në duar që nuk duhen në kundërshtim me ligjin”, deklaroi Mediu.


