Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Xhelal Mziut për zgjedhjet e 30 qershorit.
Mziu bëri padi në Gjykatë që të mos njihej mandati i Rakip Sulit, kryetari i zgjedhur për këtë bashki. Mziu ka theksuar se nuk do të lejojë të lëshojë bashkinë që drejton. Ai pretendon se nuk ka pasur zgjedhje dhe për këtë shkak mandati i tij si kryebashkiak duhet të vijojë. Ndërkohë seanca për këtë padi do të mbahet në orën 12.00 ku gjyqtare do të jetë Manjola Bejleri.
Për vendimin që shprehet e vendosur se nuk do të lirojë zyrën, Mziu rrezikon deri në një vit burgim. Kryerja e funksioneve nga kryebashkiakët pas mbarimit të mandatit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Kujtojmë se Mziu është një nga disa kryebashkiakët e djathtë që i kanë dalë kundër Bashës. Ky i fundit kërkon largimin e Ramës nga qeveria dhe qeveri tranzitore, ndërsa kryebashkiakët kërkojnë zgjedhje më 13 tetor. Po kështu edhe LSI është kundër Bashës dhe kanë pranuar që më 13 tetor mund të ketë zgjedhje edhe me Ramën në qeveri.
Një ditë më parë u betuan kryebashkiakët e rinj, Erion Veliaj, Tërmet Peçi dhe Redjan Krali dhe Haxhi Memolla. Pak ditë më parë Armando Subashi mori konfirmimin nga Këshilli Bashkiak dhe për mandatin e dytë. Erion Isai me Spiropalin në krah ka nisur punën në Bashkinë e Kolonjës. Gjon Gjonaj në Pukë është futur në zyrë dhe ka thënë se do të mësojë nga gabimet e katër viteve të shkuara. Të premten u betua dhe kreu i ri i Bashkisë Devoll, që ishte prova e parë e PD, për moslejimin e kryetarit të ri të shkonte në zyrë.


