Gjatë mbledhje se ditës së sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i këtij Institucioni, Bledar Skënderi, para se të niste me rendin e ditës, ka komentuar një video të shpërndarë nga ish-deputeti i PD, Oerd Bylykbashi duke thënë edhe se do ta padiste këtë të fundit.
Në videon e shpërndarë nga Bylykbashi pretendohej se një komisioner kryente ‘krim zgjedhor’ pasi votonte. Bylykbashi ngre pretendimet se kutitë e zgjedhjeve të 30 qershorit janë mbushur pikërisht nga komisionerët.
Nga ana tjetër anëtari i KQZ, Skënderi ka thënë se do të padis Bylykbashin për shpifje dhe mashtrim në lidhje me ato që ka deklaruar dhe videon e publikuar. Sipas Skënderit në video komisioneri voton vetëm një herë dhe kjo është një e drejtë legjitime që i jepet sipas ligjit në Kodin Zgjedhor.
“Përpara se të nisim dua të komentoj një video të shpërndarë nga Oerd Bylykbashi…për komisionerët. Ligji parashikon, në nenin 106 pika 4 thuhet: ‘ Anëtarët dhe sekretari i KQV-së votojnë pasi kanë votuar të gjithë zgjedhësit e pranishëm në qendrën e votimit brenda orarit të mbylljes së votimit. Rregullat e përcaktuara në këtë nen zbatohen edhe për votimin e anëtarëve dhe sekretarit të KQV-së.’ Andaj nëse nuk ka një provë tjetër që ky komisioner voton dy ose disa herë, do të padis Bylykbashin për shpifje dhe mashtrim“, ka thënë ndër të tjera, Bledar Skënderi.


