Arben Imami mbrëmjen e djeshme në emisionin “Real Story” ka dalë sërish kundër Lulzim Bashës. Imami ndër të tjera ka theksuar se krye-demokrati Basha ka qenë në dijeni të përgjimeve para marrëveshjes së 17 majit.
“Basha ka qenë në dijeni për përgjimet për blerjen e votave përpara marrëveshjes së 17 majit. Sipas informacioneve që unë kam, dosjen e Durrësit e ka pasur të zbardhur.”, është shprehur ai.
Më tej ai ka theksuar se kreu i PD-së nuk di të reflektojë dhe gjithë përgjegjësia për gjendjen e PD-së bie mbi atë.
“Lulzim Basha edhe vendimi i çadrës është vendim i tij, ndonjëherë je i detyruar që të thuash se ka një mbështetje që merr një vendim radikal. Jemi në një nga gurët kilometrit, nuk mund të presim për vite të mbarojë “revolucioni”, por ne kemi parë shpesh se nëse “revolucioni”, bëhet jashtë institucioneve është e rrezikshme. Përgjegjësia është e zotit Basha dhe duhet të mbajë përgjegjësitë, por sipas meje nuk është i aftë të mbajë përgjegjësi të tillë. Nuk është më çështja te Basha se e ka treguar se nuk di të reflektojë, por është te votuesit, te anëtarët dhe veçanërisht te militantët. Duhet ta themi qartë se duan më shumë Bashën apo PD, se nëse duan PD duhet të ulen dhe të reflektojnë.”, është shprehur.


