Një 32-vjeçar, i cili dyshohet të jetë autori i vjedhjes së 5 shtëpive në Kavajë, është arrestuar nga policia ditën e sotme.
Sipas policisë, 32-vjeçari me inicialet O.A., u kap ne flagrancë, ndërsa tentonte të kryente vjedhje në një tjetër shtëpi. 32-vjeçari rezulton i dënuar edhe më parë për vjedhje.
Njoftimi i plotë i policisë:
Vijon puna për parandalimin e vjedhjeve të banesave, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve.
Kapet dhe arrestohet në flagrancë 1 shtetas në tentativë për të vjedhur në një banesë .
Zbardhen dhe 4 vjedhje të tjera të ndodhura më parë, të cilat dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara për një shtetas që dyshohej se kryente vjedhje banesash në Kavajë, kanë organizuar punën duke mbajtur nën vëzhgim shtetasin e dyshuar.
Si rezultat i punës së mirëorganizuar nga shërbimet policore u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit O. A., 32 vjeç, banues në Kavajë, i dënuar më parë për vjedhje. Ky shtetas u kap në oborrin e banesës e shtetasit Z. M., në të cilën kishte hyrë për të vjedhur.
Në vijim të hetimeve, bazuar edhe në provat e grumbulluara, dyshohet se ky shtetas është autorë edhe i 4 vjedhjeve të tjera të banesave të ndodhura gjatë muajit shkurt-qershor 2019 në Kavajë .
Materialet procedurale do ti referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”


