Gjykata e Tiranës zhvilloi dje seancën e parë për rigjykimin e Izet Haxhisë, ndërsa procesi nisi me shtyrje pasi Prokuroria kërkoi më shumë kohë për të njohur aktet e dosjes.
Gjatë seancës së djeshme avokati i Haxhisë, Idajet Beqiri, kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për të, duke argumentuar me faktin se klienti i tij ka kryer rreth 13 vite burg, si dhe i është dorëzuar vetë drejtësisë.
Mirëpo, treshja gjykuese e Gjykatës së Tiranës do të shprehet me vendim për këtë kërkesë në datën 5 korrik, kur edhe u caktua seanca e radhës. Gjatë seancës së djeshme, pavarësisht se kërkoi fjalën për të bërë deklaratat që kanë shoqëruar procesin deri më tani, trupa gjykuese nuk e lejoi. Gjykata e Apelit Tiranë vendosi në 18 mars të pranojë kërkesën e ish-truprojës së Sali Berishës që të dëgjohet dhe të japë versionin e tij për një nga ngjarjet më të diskutuara ndër vite.
Ai është dënuar me 25 vite burg, si një nga autorët e vrasjes së Azem Hajdarit, por nuk e ka pranuar asnjëherë vrasjen dhe ka hedhur akuza ndaj politikës si përgjegjëse, për atë që shpesh është konsideruar si “Vrasja e shekullit”. Për rreth 17 vite, Haxhia ka qenë jashtë Shqipërisë, ndërsa në vitin 2006 u arrestua në Turqi për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Dytë në Tiranë, por deri në maj të vitit që lamë pas nuk u ekstradua asnjëherë.
Në seancën për vlerësimin e kërkesës për rigjykim, edhe Prokuroria u shpreh pro pranimit të saj, si një e drejtë e të dënuarit për t’u mbrojtur dhe dhënë versionin e tij, në kushtet e një gjykimi dhe dënimi të dhënë në mungesë.
VENDIMI
Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit Tiranë, i përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara, Ndue Dreni dhe Sokol Binaj, të zgjedhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, vendosi për pranimin e kërkesës së Izet Haxhisë me argumentin kryesor, atë të shkeljes së të drejtës për t’u mbrojtur gjatë procesit të zhvilluar në vitin 2002. Shkelja e kësaj të drejte, tha relatori i trupës, Dhimitër Lara, është konstatuar edhe nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke bërë që gjykata të prishë vendimin e dhënë në vitin 2002 dhe të kalojë çështjen për rigjykim në të njëjtën gjykatë, me një tjetër trupë gjykues.
PROVAT
Gjatë seancave të zhvilluara në muajin qershor të 2018-ës, nëpërmjet avokatit të tij Bashkim Nikolla, Izet Haxhia tha se ka një numër provash të reja që do t’i paraqesë në gjykatë nëse rigjykohet. Në një nga seancat, Nikolla tha se në dosjen hetimore mungojnë disa prova që supozohet të ishin si ditari i ish-ministrit të Brendshëm, Perikli Teta, si një provë e marrë në atë kohë me vendim gjykate, por që nuk gjendet në dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit. Avokati përmendi edhe dëshminë e shumë deputetëve dhe figurave publike që kanë dijeni dhe mund të japin të dhëna të vlefshme për zbardhjen e asaj që quhet “vrasja e shekullit”.


