Kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla ka dorëzuar në Kuvend 55 firmat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Sipas Ballës, anulimi i datës 30 qershor dhe mos caktimi i një date tjetër, i mohon të drejtën sovranit për të qenë i tillë dhe ky është një hap që zhbën autoritetin sovran.
“Nëpërmjet këtij akti të presidentit,- tha deputeti i PS-së, – është shënuar dalja përtej kompetencave”.
Gjatë fjalës së tij, deputeti Balla tha se presidenti i Republikës, në ushtrim të kompetencave të dhëna nga Kushtetuta ka nxjerrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të qeverisjes vendore, që është 30 qershori.
“Në përmbushje të realizimit të zgjedhjeve janë ngritur KZAZ, përgatitur dhe shpallur listat e zgjedhësve, është kryer regjistrimi i partive, janë depozituar listat e ka filluar fushata.
Ndërkohë që ka filluar procedura zgjedhore, presidenti ka nxjerrë dekretin për shfuqizimin e zgjedhjeve më 30 qershor 2019.
Arsyet e dhëna nga presidenti kanë të bëjnë me shqetësimin e thellë për situatën politike, se kushtet aktuale s’do siguronin zgjedhje të vërteta gjithëpërfshirëse, bindjen se kjo është mënyra që ndihmon në zgjidhjen e krizës dhe se mbështetet në Kushtetutë.
Kjo bie në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese.
Së pari, është cenuar rëndë parimi i ushtrimit të sovranitetit nga populli. Sovraniteti i takon popullit e ushtron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet të zgjedhurve të tij.
Në këtë kuptim i ka hequr sovranit të jetë i tillë. Anulimi i datës 30 qershor dhe mos caktimi i një date tjetër mohon të drejtën e sovranit për të qenë i tillë. Kjo është një hap që zhbën autoritetin sovran.
Nëpërmjet këtij akti të presidentit është shënuar dalja përtej kompetencave. Sovrani ka përcaktuar se kur do të mbahen zgjedhjet”, tha Balla.


