Në vijim të fushatës elektorale, kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj u ndal me banorët në Pezë, ku foli mbi punët e bëra gjatë mandatin e pare, si dhe projektet që e presin Tiranën dhe zonat rurale gjatë 4 viteve të ardhshme. Veliaj nënvizoi se opozita po kërkon me çdo kusht që të pengojë punët e mira që janë bërë në Tiranë dhe reformat e ndërmarra nga qeveria, ndërsa i tremben gjykimit të së shkuarës së tyre 30 vjeçare nga institucionet e reja të drejtësisë.
“Ndërkohë që ne i gëzohemi këtyre punëve, ndërkohë që jemi duke u menduar se çfarë do të bëjmë më shumë, si do ta çojmë stekën pak më lart, çfarë janë disa gjëra që mund t’i rregullojmë pak më shpejt, si mund t’i heqim ca burokraci që të vlojë puna, ka edhe një grup tjetër që nuk takohen kështu si ne, se Luli nuk ka ardhur ndonjëherë në Pezë. Lulit me shumë gjasë po t’i thuash shko në Pezë, nuk e di ku të marrë kthesën. Janë pa lidhje me realitetin. E sigurt që nuk i njeh, e sigurt që ngatërrohet rrugës, por mirë që vetë nuk vijnë, mirë që këta njerëz nuk i ka takuar, mirë që një gozhdë nuk e ka prekur, mirë që e kishin Tiranën dhe u mbushi qytetin me plehra, mirë që e kishin Shqipërinë dhe vetëm vranë njerëz, vetëm shkatërruan financat me piramidat, vetëm duke i gjuajtur Kryeministrisë me antitank në ’98, me molotov në 2019, po këta nuk të lejnë as ty të punosh. Nga i pari i tyre, që e kishim president, që kapej me këndet e lodrave, dhe deri te më i vogli që thotë “Rama ik” me Range-n më të fundit për të protestuar për varfërinë, me celularin më të fundit për të protestuar varfërinë. Mbaron “Rama ik” dhe janë të gjithë në Dhërmi, te “Folie Marine”, ku bën 15 mijë lek një koktail. Me kë tallen. Nëse duan të jetojnë këtë lloj jete duhet të regjistrohen në regjistrin historik të Shqipërisë si njerëz të poshtër”, u shpreh Veliaj.
Por ai theksoi se këto nuk do mund ta pengojnë Partinë Socialiste dhe të zgjedhurit e saj të bëjnë punë. “Këta thonë, meqë ne jemi komplet të paaftë, meqë ne nuk prekim dot punë me dorë, meqë ne nuk dimë të bëjmë diçka të mirë për vendin, mos e bëni as ju. Ata thonë mos shkoni ju në datë 30 Qershor. Kjo është si të them unë, Konferenca e Pezës që është në shtator, hajde ta bëjmë në tetor. Kjo e para e punës është fyerje, se konferenca është bërë në një datë. Ka një datë. Kjo është si t’i thuash një gruaje shtatzënë: “O grua nuk jemi gati, e shtyjmë edhe nja dy-tre muaj lindjen e fëmijës”. Kjo është si të shkosh në fushë, tani që vjen korriku e që korret gruri, edhe të thuash: “sa po përtoj sot, a i themi grurit të presë, e korrim në tetor-nëntor, kur të jemi gati”. Ata nuk e kuptojnë se po nuk u bë puna kur duhet, prishet. Ky është thelbi. Arsyeja pse nuk i dimë këto, është se nuk kanë bërë punën me dorë. Nuk e di që gjërat kanë afat. Ashtu siç ka afat një fëmijë 9 muajsh, ashtu siç ka korrja afat në korrik, ashtu siç ka çdo punë një afat, qoftë kjo një përkujtimore, ashtu ka afat puna e bashkisë. Mbaron afati në datë 30 qershor dhe ne duhet të marrim konfirmim për 4 vite të tjera, që të vlojë puna në Tiranë. Kaq e thjeshtë është. Ata i kanë gjërat pa afat”, shtoi Veliaj.
Më tej, Veliaj theksoi se opozita nuk di të respektojë rregullat e lojës demokratike, pasi edhe kur humbet thellë kërkon ta gjejë të keqen tek të tjerët. Kandidati socialist solli në vëmendje vitin 2018, ku sipas tij edhe pse Basha i vodhi mandatin Ramës në KQZ-në e drejtuar nga Arben Ristani socialistët sërish qëndruan në Këshill Bashkiak.
“Kanë ikur nga Këshilli Bashkiak kur unë nuk e kisha vënë hala shiritin, nuk isha betuar akoma. Kur Basha i vodhi mandatin Edi Ramës, ama mbasi mbaroi gjithë ajo lemeri e vjedhjes në gjykatë, PS ishte aty. Për sa kohë gjykata vendosi ashtu, ne u treguam me dinjitet. Këta edhe kur munden 8 me 2, s’të japin dorën. Këta edhe kur rrinë nuk të lenë as të punosh. Po mundohen të na bindin ne socialistët. Do na bindin ne? Ne qartazi nuk biem dakord me ata. Ne nuk biem dakord kurrë të kthehet prapë Saliu, të kthehet prapë Tit Vasili, të kthehet prapë gjithë politika e prostatës e të na qeverisë ne. Nuk e pranojmë ne këtë”, tha Veliaj.


