Kryeministri Edi Rama i dha arsye vendimit të Presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet, duke zhdekretuar datën e zgjedhjeve, 30 qershorin, dekretuar nga vetë ai.
Kreu i qeverisë e quajti një plan politik për të marrë peng jetën politike në vend, me synimin për të mos lejuar që Shqipëria të integrohet në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës në Kuvend, shefi i mazhorancës tha se pas këtij plani politik fshihet Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha, dhe se Monika Kryemadhi e LSI-së, dhe kryedemokrati Lulzim Basha, janë vetëm instrument që shfrytëzohen prej tyre për të arritur qëllimin: minimin e rrugës së negociatave për BE.
“Pse Meta e bëri këtë ndërhyrje antikushtetuese. Nuk është kërcënim vetëm për Republikën parlamentare por për logjikën njerëzore. E bëri pikërisht atë ditë kur SHBA dënuan dhunën duke treguar me gisht Bashën dhe Kryemadhin si përgjegjës. E vërteta e dalë nga ky akt marrëzie është se veprimi i Metës nuk ishte një rrufe në qiell të pastër por një hap për të marrë peng jetën demokratike të vendit dhe për të minuar rrugën drejt BE. Berisha dhe Meta kujtojnë se mund të më largojnë mua me molotovët e Lulit dhe filxhanët e Monikës por e kanë gabim. Këta janë instrumente në duart e tyre. Dy ustallarët e rrëmujës dhe intrigave e kanë qitjen më të largët. Unë jam shënjestra që dukem, koka që i duhet turmës për ta sjellë në bulevard, iluzioni që i duhet artistit dhe fallxhores, ndërsa preja nuk jam unë por Shqipëria. 4 aventurierë që duan të ndalin shtetbërjen. Doni të dini si do të ishte Shqipëria e tyre, shikoni ata. Doni që Shqipëria t’i ngjajë atyre të katërtëve.
Pjesë e këtij plani ishte dhe publikimi i përgjimeve në tabloidin gjerman të cilat mbaheshin nga një mirënjohës i Saliut në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Luli dhe Mona kanë marrë përsipër shpëtimin e vendit me doçkat e tyre. Meta dhe Berisha duan ta nxjerrin vendin jashtë procesit demokratik. Janë në të drejtën e tyre të kërkojnë një Shqipëri të qeverisur ndryshe, por ata duan që në vend që Shqipëria të luftojë për të kapur trenin e 2025, të rrijë të sfilitet dhe të mendojë për makthin e ’97.
Ata janë në një hall të madh dhe duan që halli i tyre të kthehet në problemin e të gjithë Shqiptarëve. Merreni vesh si të doni por veshët aman mos na i çani më se ky vend kështu e paska pas taksiratin. Por jo, unë jo njëherë, sa të jem unë kryeministër. Sikur unë mos të besoja te Shqipëria dhe e drejta e fëmijëve tanë për të trashëguar një vend më të mirë asnjë sekondë nuk i jap”. u shpreh Rama.
Kryeministri tha se një tjetër arsye, është se Meta ka frikë nga reforma në drejtësi.
“E keqja e këtyre zgjedhjeve vjen nga ata. Akti i Ilir Metës është prova e lepurit që fle në frikë jo vetëm nga zgjedhjet por edhe nga drejtësia. Zgjedhjet pa ata janë e keqja më e vogël ndërsa shtyrja do ishte një e keqe e madhe me efekt të zgjatur mbi vendin. Kjo nuk është e papritur, madje kjo është seria e dytë e filmit që ka filluar dy vite më parë”, tha Rama.


