Po bënin shkëmbimin e lëndës narkotike me paratë, arrestohen në flagrancë pesë të rinj.
Aurel Tema, Gilmando Bami, Edvin Zalla. banues në Fushë-Krujë, Elvis Qoku dhe Xhilion Xhemoari, banues në Tiranë, mbaheshin në përgjim prej disa muajsh, pas dyshimeve se merreshin me shpërndarje të lëndëve narkotike.
Mësohet se forcat e Policisë dhe agjentët e Sektorit të Antidrogës ndërhynë në momentin që ata ishin duke shkëmbyer një sasi lënde narkotike të dyshuar si kannabis sativa, të ndarë në doza të vogla, gati për shitje.
Policia nuk e bën të ditur sasinë e sekuestruar të drogës, por burimet thonë se bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme. Pesë personat e arrestuar në flagrancë ishin mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim nga Prokuroria e Krujës, e cila kishte siguruar informacione për aktivitetin e tyre kriminal, sikurse kishte dijeni për takimin që tre krutanët dhe dy të rinjtë nga kryeqyteti do të takoheshin për të blerë mallin.
Në këto kushte, Prokuroria kërkoi përforcimin e Njësisë së Posaçme të Antitrafikut të Narkotikëve dhe së bashku organizuan aksionin për arrestimin në flagrancë të këtyre të rinjve.
“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, pas një hetimi proaktiv disamujor me metoda speciale të hetimit nga Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, u finalizua operacioni policor ku si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: G.B., 20 vjeç, banues në Kameras, Fushë-Krujë; Xh.Xh., 24 vjeç, banues në Tiranë; A.T., 19 vjeç, banues në Larushk, Fushë-Krujë; E.Q., 25 vjeç, banues në Tiranë; E.Z., 39 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Shërbimet e policisë kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të këtyre shtetaseve, të cilët ishin duke shkëmbyer një sasi lënde narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa, të ndarë në doza të vogla, gati për shitje”, bëhet e ditur Policia, ndërsa theksoi se për rastin në fjalë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të ushtruar nga këta shtetas, si dhe për evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Ndërkohë, në zonat malore të Krujës vijojnë kontrollet kundër kultivimit të bimëve narkotike. Në kuadër të luftës ndaj kanabisit, forcat e Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë disa aksione në zonat malore. Policia nuk ka përcjellë informacion zyrtar, por burimet thonë se janë asgjësuar disa parcela me bimë narkotike.


