Gjatë natës janë shkrumbuar nga flakët dy makinat e kryetares së PD-së në Ulëz të Matit, Gjelina Kalthit. Mësohet se dy makinat janë në pronësi të kryetares së PD Ulëz, e cila njëkohësisht është edhe administratore e kësaj njësie për Bashkinë Mat. Makinat janë shkrumbuar pranë banesës së saj në orët e para të mëngjesit të sotëm edhe pse nuk kanë qenë afër njëra-tjetrës.
Në lidhje me këtë ngjarja ka folur edhe vetë Kalthi e cila është shprehur se ngjarja është e qëllimshme. “M’i kanë djegur makinat qëllimisht. M’i kanë djegur për shkak të angazhimit tim politik”, është shprehur ajo.
Ndërsa burri i saj, Fran Kalthi është përgjegjës i një kompanie të Policisë Private dhe mohon që të ketë konflikte që mund të kenë sjellë djegien e makinave të bashkëshortes së tij.
Dyshohet se ngjarja mund të jetë e qëllimshme. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Në datën 07.06.2019, rreth orës 02:40, është marrë njoftim se në Ulëz, janë djegur pjesërisht dy automjete, në pronësi të shtetasit F.K. të parkuara pranë banesës së tij.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili po punon për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.


