Dalin në dritë detaje të reja rreth taktikës që do të ndjeki nesër në seancën plenare, Grupi Parlamentar socialist, për të votuar kreun e ri të Prokurorisë së Republikës. Gjatë ditës së sotme u mësua më herët nga Alpenews.al se janë mbledhur firmat e 28 deputetëve të PS, që do të shkojnë për të mbështetur zyrtarizimin e kalimit në proces votimi, të kandidaturës së Arta Markut.
Ky duket se është vendimi politik i kësaj partie. Ligji parashikon zgjedhje e kryeprokurorit të përkohshëm, me votat e shumicës së thjeshtë të Parlamentit, gjë që zotërohet nga PS.
“Tre janë kriteret që duhet të përmbushi secili nga tri kandidaturat e përzgjedhura për seancën e nesërme, në mënyrë që ti nënshtrohet procesit të votimit:
Së pari, një listë prej 28 deputetësh firmëtarë nga Grupi Parlamentar i PS, do të paraqesin me shkrim kandidaturën e vet për ta votuar si Prokuror i Përgjithshëm i Përkohëshëm.
Së dyti, bashkëngjitur me firmat duhet të jetë edhe një “curriculum vitae” e kandidatit që ata do mbështesin.
Së treti, kusht ligjor është edhe paraqitja e dhënies së pëlqimit paraprak nga vetë kandidati, për të hyrë në këtë proces votimi”,- tha për Alpenews.al burimi.
Këto hapa, janë parashikuar në nenin 111 të Kushtetutës së Shqipërisë që sanksionon “Zgjedhjen në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj dhe dhënia e pëlqimit”, bazuar në pikën e parë të tij.
Të gjitha hapat e detyrueshme të kësaj procedure, mësohet se i ka plotësuar deri tani vetëm Arta Marku, kandidatja 41 vjeçare e ardhur nga Prokuroria e Shkodrës. Bashkë me të, ishin përzgjedhur nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve, edhe Ermira Tafani dhe Ferdinand Elezi, përkatësisht nga prokuroritë e Elbasanit dhe Durrësit. Por asnjëri prej të dyve, nuk ka arritur deri më tani që të mbledhi nga 28 firma deputetësh, si një kushti themelor i nevojshëm për tu futur në procesin e votimit nesër në seancën plenare.
Më parë, Komisionin Parlamentar i Ligjeve kishte skualifikuar nga gara, katër kandidatura të tjera për mosplotësimin e kritereve formale ligjore: Besnik Muçi, Granit Shahu, Artur Selmani dhe Arqile Koça.
Alpenews.al