“ALBANIAN GAME OF THRONES”/ (Sezoni 3, Episodi 9)
Dialogu mes dy Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për 30 Qershorin!
Nga ALFRED PEZA
Dimri po vinte. Por përgatitjet për “Luftën e Madhe”, po bëheshin me hope. Në kampin e “5 Mbretërve” sfidantë, më shumë sesa e dëshironin realisht luftën, dukej sikur po bënin sikur. Qëllimi i fshehtë dukej sikur ishte që ta detyronin mbajtësin e “Fronit të Shpatave” që të lëshonte pe’, ose të kërkonte që të hynte në negociata me ta.
E kishin përdorur edhe një herë tjetër më parë, këtë dredhi. Por Edi Rama nuk kishte ndërmend që tia mernin sërisht, pikën e tij më të fortë, për dobësi. Ndaj, as që po e vinte ujin në zjarr nga hakërrimet dhe kërcënimet e tyre. As nga provokimet. E aq më pak nga flakët që dragoi i tyre lëshonte herë pas here, në hyrjen më të blinduar të Kështjellës së tij.
“Kur të më njohësh edhe pak, do e kuptosh se atë që e them, e them me të vërtetë”,- iu drejtua Sali Berisha, Lulzim Bashës ndërsa ishin duke bërë sëbashku si rrallëherë, një shëtitje në pyllin prapa malit të Dajtit. Megjithëse në moshën e djalit të “Mbretit” të madh, “Mbreti” i vogël ishte mbledhur aq shumë kruspull, sa nga larg ishte e vështirë të kuptoje se kush ishte më i vjetri.
Lulzim Basha e pa veten për herë të parë në jetën e tij, në mesin e një morse që sa vinte dhe po e shtërngonte aq fort, sa dukej sikur po petëzohej. Megjithatë, kishte mësuar shumë nga akti i aktrimit këto kohë. Ndaj ia ktheu, ashtu siç Berisha kishte më shumë qejf kohët e fundit, nëpërmjet batutave të “Game of Thrones”: Edi Rama kishte thënë se “dua thjeshtë që të qëndroj lart të gjithëve mbi mur dhe të acaroj gjysmën e botës”.
Lerë atë. Ai është armiku përballë. Po flasim për armikun pranë, që është për tu mundur- ia ktheu Berisha. Kurora e pretendetit të vetëm të “Fronit të Shpatave”, është e vetmja për tu fituar. Pas kësaj, Lulzim Basha kuptoi se informacionet që “Mbreti” i tij i madh, kishte nga ana e Ilir Metës, ishin serioze. Ndaj, u drejtua mbi shalë, nisi të mbante trupin drejt, kokën lart dhe veshët pipëz.
“Do mbaj krahun e tyre! Nëse do që të dish se çfarë mendon armiku yt, mbaj anën e tyre. Duhet ti shohësh gjërat në mënyrën se si ata i shohin. Ti kuptosh. Pastaj, edhe më pas… ti mundësh”. Kjo është shumë e rëndë, u trondit Lulzim Basha. Por, Berisha vijoi si të mos i kishte bërë përshtypje. Ishte mësuar tashmë me të. Ia plaste buzën, por nuk kishte më kthim pas për të bërë zgjedhje tjetër: “Shumë prej burrave që sheh, më mirë do e mohonin një të vërtetë të rëndë, sesa të përballeshin me të”.
Lulzim Basha pas kësaj që dëgjoi, për të amortizuar pozicionin ku sapo e kishte vendosur veten, iu justifikua “Mbretit” të madh, me apektin e moralit të kësaj marrëdhënie mes “5 Mbretërve” sfidues të Edi Ramës. Në vend që ta zbuste, duket sikur e gjitha kjo, bëri efektin e kundërt: “Unë nuk po pyes për nderin tënd. Unë thjeshtë po injoroj ekzistencën e tij”,- tha Berisha duke turfulluar më shumë se kali i zi i rracës arabe, që kishte vite që e mbante.
Pas kësaj e kuptoi se ajo që u nis për të qenë një ditë relaksi dhe afrimi i mëtejshëm me “Mbretin” e madh, po shndërrohej në një nga ditët më të zeza, që nga koha kur kishte vendosur mbi kokë edhe ai, kurorën e “Mbretit”. Gjerat kishin shkuar aq larg, sa kishte nevojë urgjentë për një ristartim të plotë.
Sali Berisha sikur tia kishte lexuar mendimet, siç shpeshherë bënte në të tilla situata me të, i tha në formë qortimi, por këtë radhë pa shkumëzimin e mëparshëm:
“Gjumi është i mirë, por librat janë akoma më të mirë”. Unë vetë, megjithëse më pak se në rininë e hershme e deri në moshën e pjekurisë kur i “haja” librat, tani lexoj sigurisht më pak. Por, ka një formulë që i balancon gjërat Luli: Cilësia e mund sasinë!
Kur pa që situata ishte futur në rrjedhat e një raporti gati gati si të prindit me djalin, edhe Lulzim Basha bëri për herë të parë një dalje elegante, duke përdorur me një vetironi të hatashme, një nga frazat brilante të sagës epike: “Unë jam fajtor i një krimi më të madh dhe më monstruoz se ky. Jam fajtor se jam xhuxh!”
Të dy qeshën. I inkurajuar nga çasti, Lulzim Basha si për ta çuar deri në fund atë që nisi, bëri një nga ato ftesat e rralla për natyrën e tij: “Çdo gjë është më e mirë, me pak verë”.
Kjo ia ngrohu për herë të parë atë ditë shpirtin “Mbretit” që madh, që dukej gati i ripërtërirë tashmë pasi nuhati që ia kishte dhënë mësimin e radhës, “Mbretit” të vogël. E si për ti vënë kapakun këtij udhëtimi, tha: “Vdekja është shumë e mërzitshme, sidomos tani ku ka kaq entuziazëm në botë”.
Kaq edhe për sonte…
Ju çoj të fala të gjithëve!
E ENJTE, 30 MAJ 2019
(Vijon nga 1 maj)


