Para një muaji tentoi të vriste një 26- vjeçar në Tiranë, kapet i kërkuari. Policia e Dibrës ka vënë në pranga një 29-vjeçar, i cili prej 21 prillit ishte në kërkim për “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë”.
I arrestuari është Aleks Mera, 29 vjeç, banues në Bulqizë. Zyrtarë të Policisë thanë se 29-vjeçari më datë 21 prill të këtij viti, në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të disa magazinave, gjatë një konflikti dyshohet së në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë ka plagosur me armë zjarri shtetasin Elson Murataj.

Ky shtetas, më datë 21.04.2019, në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të disa magazinave, gjatë një konflikti dyshohet se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë ka plagosur me armë zjarri shtetasin E.M. Veprimet e mëtejshme do të kryhen nga DVP Tiranë”, saktëson Policia.
Ende nuk dihen shkaqet që çuan në përplasjen e dy të rinjve në zonën e Fushë-Mëzezit në Tiranë, ndërkohë që Policia vijon kërkimet për kapjen e dy bashkëpunëtorëve të 29- vjeçarit. Nga hetimet e deritanishme rezulton se të rinjtë janë përplasur për shkak të një konflikti të momentit.
NGJARJA
Një 26-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri në rrethana të paqarta në zonën e Mëzezit, në Tiranë. Elson Murataj u dërgua në Spitalin e Traumës pasi mori një plumb në këmbë. “Rreth orës 18:35 ka shkuar për ndihmë mjekësore në spital shtetasi E.M., 26 vjeç, jashtë rrezikut për jetën, i cili është plagosur në këmbë me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, në rrugën ‘Asdreni’ në FushëMëzez, Kashar. Shërbimet e Policisë po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, bëri të ditur Policia lidhur me ngjarjen.
Murataj rezulton i dënuar dy herë nga Gjykata e Tiranës. Në 2013-n ai u arrestua, pasi ishte shpallur person në kërkim për plagosjen e një 16-vjeçari, në një lokal në zonën e Fushë-Mëzezit. Ngjarja kishte ndodhur më 21 dhjetor të vitit 2012. Pas arrestimit nuk u provua autorësia e tij në plagosje, ndërsa Gjykata e dënoi vetëm për armëmbajtje pa leje. Ndërsa më datë 20 prill 2014, Murataj u arrestua sërish sepse u ndalua nga punonjësit e patrullës së Policisë së Komisariatit Nr.6 me mjetin tip “Volskvagen”, me targë AA 929 IZ, pa leje drejtimi.
U arrestua në Itali për dhunë ndaj karabinierëve
I riu nga Bulqiza, përveç plagosjes në Shqipëri, rezulton se është përfshirë dhe në një incident të ndodhur në Itali para 5 vitesh në Napoli. Karabinierët i bënë thirrje të ndalonte, por Aleks Mera shtoi shpejtësinë e makinës në përpjekje për t’ia mbathur. Pas një ndjekjeje të shkurtër, karabinierët e bllokuan makinën e tij.
Ai, në vend që të dorëzohej, filloi të godiste me grushte e shkelma karabinierët, të cilët pasi e neutralizuan me dhunë, i vunë prangat. Gjatë kontrollit të banesës së Aleksit u gjet një kartë identiteti dhe një leje drejtimi makine e falsifikuar. Aleksi akuzohet për drejtim makine pa patentë, falsifikim dokumentesh zyrtare dhe goditje e personit për shkak të detyrës.


