Një sasi prej 12 kg drogë e llojit marijuanë është sekuestruar nga policia italiane në Bari, ndërsa ka përfunduar në pranga një shtetas me origjinë shqiptare.
Mediat lokale bëjnë me dije se sekuestrimi i drogës erdhi pas kontrolleve në lagjen “Libertà” të Barit. Në pranga përfundoi shqiptari Rudmir Tatari.
Droga, gati për t’u ndarë në doza dhe për t’u shpërndarë në rrugët e qendrës së qytetit, ishte paketuar brenda disa kutive të kartonit të përdorura fillimisht për paketimin e pajisjeve shtëpiake. Lënda narkotike u gjet në sajë të aftësisë së qeneve antidrogë.
Analizat e mëvonshme e kryer nga Policia Shkencore kanë gjetur se droga mund të shpërndahej në 60 mijë doza, për një vlerë të parashikuar në tregun ilegal të mbi 300 mijë eurove. Shqiptari, me kërkesë të Prokurorit Publik të Barit, është arrestuar dhe ndodhet në burgun lokal në pritje të gjykimit.