residenti francez, Emmanuel Macron do të festojë këtë fundjavë 40-vjetorin në kështjellën “Chambord”, ku ka jetuar mbreti Fransua I, një simbol delikat për një shef shteti shpeshherë i përshkruar si presidenti i të pasurve.
“Macron, që do të mbushë 40 vite të enjten, do të festojë përvjetorin e tij të shtunën në mbrëmje në një sallon të kështjellës, një prej perlave të arkitekturës së rajonit Loir”, njofton e përditshmja “Nouvelle République”.
Shërbimet e presidencës franceze thjesht kanë konfirmuar se “presidenti dhe bashkëshortja e tij do të kalojnë fundjavën privatisht në Loir-et-Cher, pranë kështjellës Chambord”.
Kështjella Chambord është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe pret rreth një milion vizitorë në vit, shkruan ‘ata’.
Presidenti Macron është shumë i dhënë pas simboleve që prej fillimit të mandatit, që mbrëmjen e zgjedhjes së tij bëri një shfaqje gati teatrale pranë Piramidës së Luvrit në Paris, me tone të forta monarkike sipas kundërshtarëve të tij.
Macron është shprehur se kërkon t’i japë presidentit të republikës një status më vete, duke e krahasuar me Jupiterin, mbreti i perëndive në mitologjinë romake, në kuptimin që do të eci përpara dhe lartë, ndryshe nga një president normal, sikurse janë të tjerët, kishte shpjeguar ai në tetor 2016 para zgjedhjes së tij, për revistën “Challenges”.
Nga ai çast e më pas, termi “jupiterian” përdoret vazdimisht nga kundërshtarët e tij për ta cilësuar si presidenti i “të pasurve”, i shkëputur nga më pak të pasurit.


