Gjykata për Krime të Rënda dëgjoi dje dëshminë e Endri Çopjes për përplasjen e Policisë në Elbasan në vitin 2017.
Ai tha se në drejtimin e makinës, që përplasi mjetin e Policisë, mund të ketë qenë Enea Bekteshi. Kujtojmë se Çopja është një nga personat e ndaluar fillimisht nga Policia në hyrje të tregut agro-ushqimor, por që më vonë është liruar. Ndërkohë, ai është nën masë sigurie “Arrest në burg” për një tjetër ngjarje.
I prangosur dhe në shoqërinë e punonjësve të Policisë, Endri Çopja u fut në sallën e Krimeve të Rënda për të dhënë versionin e tij për ngjarjen, për të cilën janë marrë të pandehur Suel Çela, Enea Bekteshi dhe Klement Xhaferri.
Ndërkohë që Prokuroria pretendon se në makinën “Audi” si drejtues ndodhej Suel Çela, i njohur edhe me emrin Marjus Lulaj, asnjë prej punonjësve të Policisë që kanë dhënë dëshminë nuk kanë arritur ta identifikojnë atë, ndërsa pronari i tregut Petrit Çela, në dëshminë e tij dhënë para Gjykatës, disa ditë më parë, dha të njëjtin emër si Çopja, për personin që mund të ishte në makinën “Audi”.
DËSHMIA
Në dëshminë e tij, Endri Çopja tregon se në kohën kur ka ndodhur ngjarja ishte në shkollë të lartë dhe punonte në një loto. Më tej, ai tregon së ditën kur ka ndodhur ngjarja, ka qenë duke pirë kafe në lokalin e tregut dhe më pas kanë dalë për të mbushur makinën “Range Rover” me naftë.
Në kthim, sipas tij, Policia ka ndaluar atë dhe Ledio Zabelin, duke i shoqëruar më tej në Komisariat, ku pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë.
“Në kohën kur ka ndodhur ngjarja, kam punuar në një loto si menaxher. Punë të cilën e kam filluar në kohën që fillova shkollën e lartë. Në lidhje me ngjarjen, unë jam shoqëruar në Polici. Atë ditë kam qenë duke pirë një kafe me Ledio Zabelin në Elbasan, në lokalin që ndodhet te tregu. Pas kësaj, të dy kemi dalë për të bërë një xhiro me makinën ‘Range Rover’ dhe do ta mbushnim me naftë. Makina nuk ishte e jona, ishte në pronësi të administratorit të tregut agro-ushqimor, Petrit Çela. Kur u kthyem, te tregu përballë ishte një makinë tip ‘Golf’ që po na e bënte me drita. Ata ishin 4 veta në makinë dhe na bënë shenjë për ndalim. Na treguan se kush ishin dhe njëri prej tyre na kërkoi që duhet të bënin një kontroll në makinë. Më parë, menduam se ishin të njohur dhe donin të na përshëndesnin. Pas kërkesës, polici na tha se do të shoqëroheshim në Polici për një kontroll më të detajuar. Unë kaloj në pjesën e pasme të makinës, ndërsa polici mori makinën ‘Range Rover’. Aty shikoj që makina tip ‘Audi’ na kaloi dhe polici ndaloi makinën tonë. Pak më vonë, dëgjoj 4-5 të shtëna.
Ishin 4 policë që qëllonin. Ndërkohë, pas kësaj, ne na çojnë në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, ku rrugën për të shkuar aty ia kam treguar unë policit që ishte në timon se ai nuk ishte nga Elbasani. Kujtoj, se pasi kam dhënë dëshminë e parë, prokurori kthehet dhe njëherë nga fillimi dhe kërkon që dëshmitari ta shpjegojë mirë momentin kur ka marrë makinën tip ‘Range Rover’ dhe ku shkoi. Po ua them edhe njëherë këtu, kafen isha duke e pirë në lokalin brenda te tregu dhe makina tip ‘Range Rover’ ishte e parkuar aty me çelësa brenda. Aty unë shkoja shpesh sepse punonte një shoku im, Bruno, dhe kisha shokun tim të shkollës, Marjus Çelën.
Administratori i tregut është Petrit Çela. Atë ditë, Marjo Çela nuk ishte në treg, as në lokal. Aty ka qenë vetëm Klement Xhaferri, ndërsa Enea iku. Makinën në pronësi të Petrit Çelës e kam marrë rrallë, vetëm sa të bëja xhiro. Zakonisht, ai i linte të parkuara në treg me çelësa brenda, sepse aty ishte dhe lavazhi. Atë ditë makinën e mora pa dijeninë e Petritit dhe Marjo Çelës. Kur ndodhi ngjarja, makinën ‘Audi’ unë mendoj se e ka pasur Enea Bekteshi, sepse ai ishte më parë në treg”, tha dëshmitari Endri Çopja.
Endri Çopja, i arrestuar për tritolin ndaj Lulzim Kullës
Rreth një vit më parë, Endri Çopja, Argel Lulaj dhe Serxho Teta, janë arrestuar pas një operacioni të kryer nga Prokuroria e Shkodrës në lidhje me tritolin e vendosur ndal Lulzim Kullës, ku ky i fundit u plagos. Ndërkohë, pas 10 muajsh hetime nga kjo Prokurori, çështja në ngarkim të tyre është transferuar te Krimet e Rënda, ku Gjykata ka vlerësuar edhe arrestimin e tre personave. Çopja e ka mohuar implikimin e tij në ngjarje.
“Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën akuzohem. Nuk jam unë autori i vendosjes së tritolit”, ka deklaruar Endri Çopja në sallën e gjyqit, gjatë seancës për masën e sigurisë ndaj tij. Ndërkohë, Prokuroria e Shkodrës në atë kohë deklaronte se arrestimi i autorëve të dyshuar kishte ardhur pas hetimeve të kryera me metoda speciale të hetimit. Gjithashtu, Policia njoftoi se gjatë arrestimit ishin sekuestruar 4 makina, disa celularë dhe një sasi eurosh. “Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa celularë, 4 automjete, 2 nga të cilat janë përdorur nga autorët ditën e ngjarjes, 6 000 euro, tri maska dhe fishekë luftarakë”, njoftonte Policia, rreth një vit më parë.