“GAME OF THONË”- (Edicioni I-rë, Seria 7)
Sekreti i parrefyer i “Ushtrisë” kundër “Fronit…”!
Nga Alfred PEZA
Armiqtë e zotëruesit të “Fronit të “Shpatave”, atëherë kur dukej sikur ishin bërë bashkë rreth zjarrit vetëm për të pirë verë, nisën të zbulonin të vetmin sekret që kishin për të mbajtur pas kësaj. Dikush tha se ky ishte momenti që të krijonin ushtrinë e tyre. “Dimri po vinte” dhe lufta ishte e pashmangshme. Nuk kishte luftë pa ushtri. Nuk kishte ushtri, pa një shtab. E ai kuptohej që ishte i mbledhur I gjithi aty atë natë. I përbërë nga “Mbretërit Sfidantë” të “Botës shqiptare” në Ballkan.
Lideri i tyre pranohej prej të gjithëve se ishte ai, më i vjetri dhe më i sprovuari ndër të gjitha betejat e këtyre tri dekadave të fundit: Sali Berisha. Edhe kur kishin qenë në luftë, edhe kur kishin qenë në paqe me të, edhe kur kishin qenë jashtë politikës, edhe tani që ia kishin dalë të ishin në majën e saj, të gjithë në atë dhomë e kishin adhuruar si një Zot. “Nuk i zgjedhim dot ata që duam”,- kishte thënë Ilir Meta me vete, kur e kishte menduar të gjithën këtë, për një çast.
Kur debate ishte ndezur, një zë kumboi deri në tavan: “Unë zgjedh dhunën”. Monika Kryemadhi, kishte thënë më parë se nuk kishin se çfarë të humbisnin nga e gjitha kjo, vetëm në fitofshin: “Ka vetëm një ferr dhe është ky që po jetojmë tani”! Ramush Haradinaj kishte shqyer sytë kur kishte nisur të dëgjonte më pas, për cilësitë që do të kishte ushtria e tyre e re. Ai njihte vetëm “Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, e cila sipas Lulzim Bashës, kishte qenë thjeshtë një sebep për të justifikuar ndëryrjen e NATO-s kundër trupave të ushtrisë serbe të Millosheviçit.
Ushtria e tyre, do të kishte në një, dy veti: Të parën e njihte shumë mirë çdo shqiptar që kishte lexuar “Gjeneralin e Ushtrisë së vdekur” të Kadaresë, ose kishte parë filmin me skenarin e tij. Ndërsa vetinë e dytë, aty e njihte veç Berisha si frankofon dhe lexuesi më i zellshëm i letërsisë franceze, kur kishte qenë në të 30-tat e tij e udhëtonte në Paris. E kishte fiksuar nga “Lëkura e Shagrenit” e Balzakut. Ajo nuk ish gjë tjetër, veçse lëkura çudibërëse e gomarit të egër, e cila mbante në sanskritisht këtë shënim për atë që do të ishte poseduesi i saj:
“Duke më zotëruar mua, ti do të zotërosh gjithçka. Por jeta jote do të më përkasë mua. Kështu deshi Zoti. Dëshiro, dhe dëshirat e tua do të plotësohen. Por mati dëshirat e tua me jetën tëndë. Këtu më ke. Në çdo dëshirë, unë do të shkurtohem si ditët e tua. A do që të më zotërosh? Merrmë! Zoti do të t’i plotësojë dëshirat! Ashtu qoftë!”
Pasi ua tregoi këtë, për herë të parë në atë dhomë pllakosi heshtja e varrit. I shkonte shumë atmosferës me të vdekur në të cilën ishin zhytur. Por Berisha kishte parë aq shumë në jetën e tij, sa foli për herë të fundit për atë natë, duke i vënë vetes në gojë frazën më dramatike të “Game of Thrones”: “Ka vetëm një Zot dhe ai është vdekja. Dhe ka vetëm një gjë që ne i themi vdekjes: Jo sot”. Vetëm pas kësaj Ramushi e kuptoi qëllimin e vërtetë të atij takimi dhe përse u duhej kjo ushtri e re, pikërisht atëherë kur kishte besuar se lufta kishte qenë sebepi i rinisë së parë, për të qeverisur në moshën e dytë.
Ilir Meta dhe Lulzim Basha kishin hedhur në letër disa pika ndërkohë: Ushtria e tyre do të ishte pak a shumë si “Ushtria e të Vdekurve” e “Game of Thrones”, ose siç njihej ndryshe: “Kalorësit e Bardhë”! Nuk kishte rëndësi emri që do ti vinin ata të tyres. Më e rëndësishme se kjo, ishin vetitë e saj. Të gjithë e kishin më të qartë tani. Sepse ata si të gjithë politikanët e kësaj bote, që zotëronin ose ëndërronin “Fronin e Shpatave”, e kishin parë e stërparë serialin e bujshëm.
Atje ushtarët e kësaj lloj ushtrie dikur kishin qenë njerëz dhe ishin shndërruar në monstra akulli. Nuk dinin të notonin dhe asgjesoheshin vetëm me anë të zjarrit. Lideri i tyre quhej “Mbreti i Natës”. Sekreti më i madh qëndronte pikërisht këtu: Nëse “Mbreti i Natës” vritej, e gjithë ushtria e tyre shuhej vetvetiu. Por nuk ishte edhe aq e thjeshtë. Sepse ai mund të vritej vetëm me një armë tepër të rrallë, e prodhur nga dhëmbët e dragoit. Ishte një formulë e zbuluar në lashtësi dhe arma ishte krijuar 8 000 vjet më parë, për të luftuar njerëzit e parë që po vinin drejt “Uesteros”. E gjitha fillimisht kishte qarkulluar si një legjendë, por dalëngadalë kishte nisur që të vërtetohej.
Armiqtë e tyre e dinin këtë. Ndaj edhe synonin veç Mbretin e tyre. “Me fund për Mbretin tonë”,- tha Ilir Meta.
Edi Rama kishte pak kohë që ishte qetësuar. Ndoshta që atëherë kur “Zoti mbi Tokë” i kishte çuar sinjal armiqve të tij, në formë të koduar nga saga epike, me një gjuhë që ata e njihnin mirë: “Herën tjetër që do ngresh dorën kundëra meje, do jetë hera e fundit që do kesh duar”!
Kaq edhe për sonte…
Ju çoj të fala të gjithëve!


