Tre suksese të qeverisë shqiptare radhiti shefja e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini, krah kryeministrit Rama në konferencë për mediat. Reforma në drejtësi, të cilën e vlerësoi si shembull që duhet ta ndjekin edhe vende anëtare të Bashkimit Evropian, reduktimin drastik sipas saj të kanabisit, dhe goditjen e bandave dhe krimit.
Federica Mogherini është e bindur se qeveria shqiptare me arritjet që ka faktuar nuk ka nevojë për përkrahje, pasi faktet sipas saj flasin. Por ajo tha se deri në vendimin për çeljen ose jo të negociatave, qeveria shqiptare ka gjithë kohën e mjaftueshme që të bindë plotësisht secilin nga vendet anëtarë të BE-së për të njohur rezultatet e bëra nga Shqipëria, ashtu siç ka reflektuar raport progresi i Komisionit Evropian.
“Kryeministri duket që nuk ka nevojë për përkrahje, jepni kontributin tuaj duke komunikuar me miqtë tuaj në BE, që të ketë më shumë besim tek Shqipëria dhe tek e ardhmja jonë e përbashkët”, tha Mogherini.


