Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas heqjes së tabelave të shumta në akset rrugore në Finiq të shkruara në gjuhën greke.
Duke folur në “Javën e Europës”, Rama sqaroi se tabelat u hoqën për shkak se ishin vendosur jashtë parametrave teknike, ndërsa theksoi se rivendosja e tyre do të fillojë nga dita e nesërme.
“U ngrit një furtunë për disa tabela të vendosur në një zonë dhe pranë një zone me shumicë minoritare. U tha cfarë nuk u tha këtej, gjithmonë nga zërat dhe burimet që kërkojnë sherr, por është shumë e thjeshtë. Tabelat nuk u hoqën se kishte lidhje me minoritetin por ishin jashtë kritereve dhe pamarrë parasysh parametrat e sigurisë duke shmangur nevojën e një leje që do i evitonte të gjitha këto dhe shpenzimet e bëra.
Nuk u hoqën për të mos u vënë më, nesër do të vendosen dhe deri të premten do të jetë të vendosura të gjitha mbi bazën e ligjit në fuqi dhe kritereve teknike. Të gjithë atyre që bëjnë patriotin apo ultra atdhetarin duke vendosur kunjën sepse në një zonë ku jeton minoriteti ka tabela ku shkruhet edhe greqisht u them se ne jemi një vend europian dhe kur flasim për europën, flasim edhe për këtë. Përveçse për traditën tonë të respektit dhe të të trajtimit të barabartë të kujdo, pavarësisht kombësisë, që jeton në këtë shtëpi” tha Rama.
Ndërkohë, duke u ndalur tek hapja e negociatave, Rama u shpreh se Komisioni Europian në Tiranë, pas një pune të rëndësishme, dha shenjën pozitive për hapje të negociatave.
“BE ka një rol të rëndësishëm në forcimin e rolit të shtetit. Rruga për të shkuar në BE është shumë më e rëndësishme se mbërritja. Kjo sepse sa më shumë hapa bëjmë për në BE, aq më shumë e forcojmë shtetin ligjor. Ne në Tiranë nuk punojmë vetëm për atë që na thotë Berlini a Brukseli dhe Parisi, por punojmë për një Shqipëri më të mirë nesër, për t’iu lënë fëmijëve tanë një vend sa më të begatë.
Sa i përket negociatave, Komisioni Europian në Tiranë pas një pune të gjatë dhe të saktë për realitetin këtu, duke dokumentuar situatën me racionalitet, u shpreh pro rekomandimit për hapje të negociatave me Shqipërinë. Dhe kur KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, kjo do të thotë as më pak e as më shumë se ne kemi bërë detyrat e shtëpisë”, u shpreh kryeministri.


