Huaja e dhënë për ekonominë nga sistemi bankar ka shënuar gjallërim në muajt e parë të këtij viti, e udhëhequr nga kredia për bizneset dhe për individët në lekë.
Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i kredisë për ekonominë në fund të muajit mars arriti në 547 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 1% në krahasim me muajin e mëparshëm. Në raport me fundin e 2018-s, kredia që është dhënë nga bankat për bizneset dhe individët është rritur me 2.7%.
Megjithatë, me bazë vjetore (mars 2019/mars 2018) trendi i kredidhënies mbetet në rënie, me 0.23%, e ndikuar dhe nga efekti që jep nënçmimi i euros, teksa të dhënat finale raportohen në lekë.
Në tre muajt e parë të këtij viti, efektin kryesore në gjallërimin e huadhënies e ka dhënë kredia për bizneset (korporatat e tjera jofinanciare) që u rrit me gati 3% në raport me fundin e 2018-s.
Euro është rikthyer në monedhën e preferuar të bizneseve, teksa të dhënat tregojnë që kredia në valutë për korporatat jofinanciare u rrit me 3.7% në raport me fundin e 2018-s, përkundrejt 0.8% të monedhës vendase.
Edhe për individët, rritja në euro ishte 1.9% dhe në valutë 1% (me përjashtim të marsit kur huaja në valutë për individët erdhi në rënie).
Si rrjedhojë, pesha e kredisë në valutë është rritur sërish, duke arritur në 49.7% të totalit në mars 2019, nga 49.4% në të njëjtin muaj të një viti më parë.
Pikërisht një vit më parë, Banka e Shqipërisë nisi një fushatë për uljen e nivelit të euroizimit në ekonomi, por sërish, euro vijon të mbetet e preferuara e bizneseve, por dhe e individëve, teksa rritja e stokut të huadhënies në tre muajt e parë të vitit erdhi në 71% nga valuta.


