Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se Samiti i Berlinit që do të mbledhë vendet e Ballkanit Perëndimor, e inicuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti francez Macron, do të jetë një mundësi e mirë për rajonin e Ballkanit.
Haradinaj në Samitin e Berlinit, është i shoqëruar nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli si dhe nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Kryeministri kosovar në statusin e shkruar në rrjetin e tij social Facebook, theksoi se Kosova në vazhdimësi ka luajtur një rol konstruktiv në fqinjësinë e mirë në rajon.
Postimi i plotë:
‘Me ftesë të Kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, sapo arrita në Berlin, për të marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Liderëve të Ballkanit Perëndimor. Ky takim është një mundësi e mirë që liderët e rajonit të flasim hapur për sfidat dhe aspiratat e përbashkëta drejt rrugës euro – atlantike.
Kosova në vazhdimësi ka luajtur rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm karshi detyrimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe në përputhje me vlerat evropiane.
Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për dialog, paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë, gjithmonë duke respektuar vetëveten dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, duke ruajtur integritetin territorial dhe partneritetin me aleatët e përhershëm të saj!’.


