Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi duket se ka gjetur më në fund fajtorin për të gjithë problemet dhe shqetësimet brenda kampit që ajo drejton.
Ndonëse nuk ka shkuar shumë larg, përfundimi është se është pikërisht ai, Presidenti Ilir Meta.
Jo për herë të parë, e megjithatë jo në këtë formë, Monika Kryemadhi është shprehur mbremjen e djeshme se Ilir Meta do të mbajë përgjegjësi për të gjitha gabimet, sipas saj që ka bërë kur ka qenë në krye të LSI.
Pjesë nga deklarata e saj:
Tani jam unë kryetare e partisë, nuk është Ilir Meta që për hir të stabilitetit ka krijuar stabilitet të krimit të organizuar dhe instalim të tyre. Do mbajë përgjegjësi për atë që ka bërë. Sepse ai me mosveprimin e tij ndaj instalimit të këtij krimi, ka sjellë që shqiptarët janë edhe më të varfër, kanë ikur 500 mijë shqiptar, që s’i bëhet vonë gjë njeriu pse kanë ikur, dhe do të ikin edhe të tjerë akoma edhe më shumë nëse do të vazhdojnë me këtë rrugë. Përgjegjësia politike, jo vetëm e Ilir Metës, por edhe e Sali Berishës me marrëveshjen e 2008, që ka sjellë këtë sistem ku jemi ne sot dhe përgjegjësia e Ilir Metës që besoi verbër dy ambasadorëve që luajtën për të marrë dhe menaxhuar paratë e BE që ishin buxhet për sistemin e drejtësisë shqiptare.
E megjithatë, edhe pse duket se Kryemadhi dëshiron në këtë momënt ti “lërë topin” bashkëshortit të saj, është po vetë ajo që nga ana tjetër e përkedhel me fjalë.
Kur Kryemadhi thotë se koha me qetësi dhe dashuri sipas Metës ka mbaruar dhe se tani LSI ka nevojë për veprime radikale, ajo nuk bën asgjë më shumë sesa tregon se Presidenti ynë aktual drejton “butë” dhe se e forta në këtë mes është vetë ajo.
E gjitha kjo, duket një tjetër strategji e Kryemadhit për të thënë se ajo dhe grupi I saj do të veprojnë ndryshe, tani që drejtimin e ka ajo.
Kjo do të nisë duke mos u ulur në tryezë me Ramën siç bashkëshorti, idhulli I saj doktori dhe aleati I tanishëm bënë.
Përgatiti: AlpeNews.al


