Në një pallat pranë zonës së Liqenit Artificial të Tiranës po themelohet këto orë të vona të së hënës partia më e re politike, që me gjasë do të quhet “Bindja Demokratike”.
Janë figura të rëndësishme të Partisë Demokratike, të “qefmbeturit” me kryetarin aktual Lulzim Basha, si Astrit Patozi, Fabian Topollaj dhe Leonard Olli tre emrat e konfirmuar deri tani.
E ndërsa duket se ka një nxitim për krijimin e kësaj force politike, që protet të regjistrohet nesër në Gjykatë, kujtojmë se dita e nesërme është edhe afati i fundit për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet vendore.
Dy emra të tjerë, më pak të njohur që i janë bashkuar Bindjes Demokratike, janë deputetë nga lista e PD-së, që nuk kanë pranuar të dorëzojnë mandatin pas vendimit për bojkotin masiv opozitar.
Bëhet fjalë për Andi Përmetin dhe Arben Skënderin. Opozita, tashmë jashtë parlamentit, e ka konsideruar njëzëri krijimin e kësaj force politike si mbështetje për qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.
Rudina Hajdari ka mohuar lajmet se do të jetë pjesë e kësaj force politike, ndonëse u raportua se ajo do të ishte kryetarja. Gjithashtu ish-drejtoresha e AMA, Endira Bushati i ka mohuar zërat se do jetë pjesë e Bindjes Demokratike, përmes një reagimi në rrjetet sociale.


