Tre deputetët e rinj të Kuvendit u betuan ne seancen plenare te se enjtes, duke marrë zyrtarisht edhe mandatin e ligjvënësit.
Konkretisht, u betua Korab Lita, deputet i dalë nga listat e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, Arlind Çaçani, deputet i dalë nga listat e PD-së në Qarkun e Korçës dhe Halil Jakimi, deputet i dalë nga listat e PD-së në Qarkun e Dibrës.
Me futjen e këtyre tre deputetëve, numri i ligjvënësve në Parlament shkon në 106, ndërsa në pritje për t’u bërë deputet janë edhe dy kandidatë të tjerë, Eugen Bojaxhi nga listat e LSI-së në Qarkun e Beratit dhe Fatjona Dhimitri në listën e PD-së në Qarkun e Gjirokastrës.
KOMISIONET
Fillimi i zëvendësimit të mandateve të djegura të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim ka më shumë se një muaj që ka nisur, si nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe nga vetë Kuvendit. Por pavarësisht kësaj kohe, këta deputetë të rinj nuk ishin futur ende si anëtarë në komisionet parlamentare. Ditën e djeshme, Kuvendi miratoi projektvendimin, i cili futi deputetët e rinj edhe në komisionet parlamentare.
Procedura parlamentare, e ndjekur në këtë rast, duket se ka krijuar edhe një precedent të ri. Deri më tani, ata nuk kanë mundur që të futen në komisione për shkak se nuk kanë krijuar ende grupin parlamentar dhe Rregullorja e Kuvendit parashikon se shpërndarja e deputetëve në komisione bëhet me propozim të Grupit Parlamentar.
Por në këtë rast, propozimin për futjen e tyre në komisione është bërë nga vetë maxhoranca. Projektvendimi i miratuar dje kishte shkuar në seancë si propozim i Konferencës së Kryetarëve, pra, nga vetë shumica parlamentare, pasi në Konferencë nuk ka asnjë anëtar të opozitës.
PËRFITIMET
Futja në komisione parlamentare rrit edhe përfitimet e deputetëve të rinj në Kuvend. Krahas artikulimit politik që ata mund të bëjnë në komisione, duke diskutuar për projektligje të caktuara, ata përfitojnë edhe financiarisht.
Kjo, pasi pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve shoqërohet me një bonos, i cili shkon në 2 mijë lekë të rinj për çdo mbledhje komisioni. Pra, e thënë ndryshe, më shumë para për deputetët e rinj, të dalë nga listat e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një benefit tjetër që pritet të përfitojnë disa deputetë të opozitës janë edhe aksesi në dokumente sekrete shtetërore.
Tre deputetë të opozitës së re, konkretisht, Lefter Maliqi, Ylli Shehu dhe Edmond Rrushi do të jenë anëtarë të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, çka do t’u mundësojë atyre pajisjen me certifikatë sigurie që do t’i mundësojë akses në dokumente sekrete shtetërore. Deputetët e tjerë janë shpërndarë në komisionet e Ligjeve, Integrimit, Ekonomisë, të Jashtëm etj..
SHPËRNDARJA E DEPUTETËVE TË RINJ NË KOMISIONE
NË KOMISIONIN PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ADMINISTRATËN PUBLIKE E TË DREJTAT E NJERIUT
Alban Zeneli PD
Adriatik Alimadhi PD
Korab Lita PD
Aurora Mara PD
Elda Hoti PD
NË KOMISIONIN PËR INTEGRIMIN EUROPIAN
Ediola Braha LSI
Ralf Gjoni LSI
NË KOMISIONIN PËR POLITIKËN E JASHTME
Ligoraq Karamelo PD
Edlira Hyseni LSI
NË KOMISIONIN PËR SIGURINË KOMBËTARE
Lefter Maliqi PD
Edmond Rrushi LSI
Ylli Shehu LSI
NË KOMISIONIN PËR EKONOMINË DHE FINANCAT
Arben Elezi PD
Amra Barova LSI
NË KOMISIONIN PËR VEPRIMTARITË PRODHUESE, TREGTINË DHE MJEDISIN
Halil Jakimi PD
Arlind Çaçani PD
Nimet Musaj LSI
NË KOMISIONIN PËR PUNËN, ÇËSHTJET SOCIALE DHE SHËNDETËSINË
Majlinda Halilaj PD
Enver Roshi LSI
NË KOMISIONIN PËR EDUKIMIN DHE MJETET E INFORMIMIT PUBLIK
Enada Kapllani LSI



