Të gjitha energjitë politike, organizative, mediatike dhe komunikative në marrëdhëniet me opinionin publik shqiptar nga ana e opozitës, janë fokusuar gjatë kësaj jave, tek protesta e së shtunës. Tek protesta e 13 prillit, e cila është edhe protesta e 10-të pas djegies së mandateve, nëse do numërohet si e tillë, edhe ajo e disa të rinjve të forumit rinor të PD, përpara Parlamentit, gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje.
Që e gjithë vëmendje e opozitës të ishte e fokusuar tek protesta, kjo ishte e pritshme, po të kemi parasysh se përbën edhe aksionin kryesor politik të saj për këtë muaj. Por, ajo që nuk pritej dhe që po bëhet me një sforcim të hatashëm nga lidershipi i PD, LSI dhe aleatët e tyre, është përpjekja për ta zhvendosur vëmendjen nga thelbi i problemit real e konkret që ka sot opozita jonë.
Çfarë ka ndodhur?
Në fillim të kësaj jave në Tiranë, erdhën për tri ditë me radhë njëri pas tjetrit, përfaqësuesit më të rëndësishëm të politikës së jashtme të SHBA dhe të BE. Si zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Metthew Palmer ashtu edhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein kishin mesazhe shumë të qarta, të rëndësishme dhe vendimtare në lidhje me qëndrimin zyrtar të Washingtonit dhe Brukselit zyrtar, përballë situatës politike në Shqipëri.
Për ta, vendimi i opozitës për të djegur “on block” të gjitha mandatet e deputetëve dhe dalja nga sistemi parlamentar, kërkesa për zgjedhje të përgjithshme të përkohëshme me një qeveri tranzitore dhe bojkoti për këtë i zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, është i papranueshëm. Në këto kushte, të gjendur përpara pamundësisë totale për të patur mbështetje jo vetëm popullore brenda vendit, por as ndërkombëtare, në aksionin më ekstrem të ndërmarë ndonjëherë nga një grupim politik në Shqipëri në 30 vitet e fundit, liderët e opozitës ndryshuan qasje.
As Lulzim Basha dhe as Monika Kryemadhi nuk bënë asnjë koment, nuk patën asnjë reflektim dhe nuk treguan asnjë shenjë se e kuptuan që janë më të vetmuar, më të izoluar dhe më të braktisur se kurrë në aventurën e tyre vetvrasëse politike. E si të mos mjaftonin të gjitha këto, anija politike e PD, LSI dhe aleatëve të tyre, ka kohë që po braktiset në mënyrë sistematike, edhe nga të vetët, brenda përbrenda radhëve të tyre.
Këtë të enjte, si në çdo seancë plenare, pati sërisht betime deputetësh të rinj të opozitës nga radhët e PD dhe LSI, duke e çuar në 102 numrin total të vendeve në Parlament. Sipas të dhënave në KQZ, ky proces do të vijojë edhe në seancat e tjera plenare të Kuvendit, duke e plotësuar pothuajse plotësisht sallën me 140 të zgjedhur të popullit, të dalë nga listat zyrtare të partive, nga zgjedhjet e 25 qershorit 2017.
Për të shmangur vëmendjen nga i gjithë ky realitet i hidhur, liderët e opozitës vrapuan që të bënin lojën e strucit politik, duke u kapur me thonj pas një ngjarje që po hetohet, analizohet, trajtohet dhe nga ku po meren masa dhe po nxirren mësime me seriozitetin më maksimal që ajo meriton. Eshtë fjala për grabitjen e bujshme të një sasie të madhe parashë, në njërën nga avionët e linjave të udhëtarëve, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Askush nuk kërkon që media dhe opinioni të mos meren dhe të mos e analizojnë atë në çdo detaj, ashtu siç e meriton. Jo. Përkundrazi!
Por, sado e rëndë që të jetë një ngjarje si kjo në aspektin e sigurisë, sado e diskutueshme dhe me pasoja mund të jenë efektet e saj edhe në aspekte të tjera, ajo as e mbulon, as e ndryshon, as e tjetërson, as e zëvendëson dhe as nuk zhbën dot, kryehallin më të madh që opozita jonë ka patur ndonjëherë në këto 30 vitet e postkomunzimit në Shqipëri.
E gjithë kjo lojë e opozitës për ta futur “kokën në rërën” e një historie, e cila herët ose vonë do të zbardhet dhe përgjegjësit do të dalin përpara drejtësisë për të marë ndëshkimin më maksimal që meritojnë, po përdoret thjeshtë si një “shoshë” për të mbuluar diellin verbues të hallit të saj të madh. Kjo lojë, mund ti japi sadopak oksigjen protestës së 13 prillit. Aty mund të grumbullohen ca protestues partiakë më shumë sesa do të grumbulloheshin nëse grabitja e Rinasit nuk do të ndodhte.
Por, në fund të fundit, e gjitha kjo nuk është gjë tjetër, veçse një bombul simbolike oksigjeni përpara se opozita jonë, të kalojë në kllapinë e saj të thellë politike. Sepse ajo që SHBA dhe BE paralajmëruan për opozitën tonë këtë javë në Tiranë, nuk ka të bëjë thjeshtë dhe vetëm me një protestë të radhës. Por, me shumë e më shumë se kaq. Në lojë as më shumë e as më pak, është vetë ekzistenca ose jo e PD, LSI dhe aleatëve të tyre, pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Kjo është çështja!


