Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka folur pas vendimit të gjykatës për nisjen e gjykimit ndaj tij që e vendos zyrtarisht si të pandehur. Në një prononcim për mediat pas seancës 8 orëshe, Tahiri tha se të gjithë kishin shumë gjëra për të thënë por se më e rëndësishmja vjen.
“Zgjati se kam përshtypjen të gjithë kishin gjëra për të thënë lidhur me atë që parashtruan prokurorët. Më shumë se afati 8 orë i zgjatjes së seancës sot, më vjen keq vetëm për ju që u detyruat të prisnit. Ajo që vjen para është më e rëndësishme se ajo që shkoi. Tani shkojmë në gjykim dhe ky është një shans për mua për të treguar atë që kam thënë gjithmonë. nuk dua të merrem me llojin e seancës, me llojin e akuzës. Jam rezervuar të komentoj dhe nuk dua ta bëj dhe tani në respekt të një sistemi që kam kontribuuar dhe unë deri diku”, tha ish-ministri.
Në lidhje me kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar pa pranuar fajësinë, Tahiri tha se e kërkoi në mënyrë që gjykimi të mos jetë një histori zvarritje pafund. “Prokuroria pretendon atë që pretendon, unë kam shumë më shumë për të pretenduar. Nuk do doja të zgjatej. Do ju kërkoja kujdes të saktësoni. Do vazhdoj të argumentoj atë që kam thënë që në fillim. Nuk kam pikën e lidhjes me këtë çështje”, u shpreh ai.
Sa i përket dosjes së tij që shkoi me karrocë në gjykatë, Tahiri tha se do ndjekë çdo fazë të procesit me përpikmëri. “Kam pak zor të flas për veten në rastin kur gjendem në këto pozita. Do ndjek me përpikmëri çdo fazë të procesit. nuk jam zënë me askënd. Di t’ju them kur kjo ndodh me mua, imagjino ç’ndodh me njerëzit që s’kanë mundësi të flasin para jush. Nuk jam as hero i heshtur, s’më pëlqen kjo pozita por më vjen keq për njerëzit që vuajnë nga ky sistem drejtësie dhe nuk kanë mundësi të flasin”, tha Tahiri.
I pyetur a ka pasur kontakte me të bashkëakuzuarit, Tahiri mohoi. “Asnjë kontakt”.
Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Sot Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të hedhë poshtë kërkesën e Tahirit për pushimin e çështjes dhe të nisë gjykimin e tij si i pandehur për disa vepra penale.
Ju flisni për sulme? Nga ju vijnë këto sulme?
Jepini kohë procesit. Ju do i dëgjoni të gjitha. Mos të nxitojmë për këtë gjë. Dyshoj shumë fort që ky është sistemi i drejtësisë për të cilën fola. Ta thashë që kjo është e gjitha një absurditet. Drejtësia është e bukur.
A bëri drejtësi gjyqtarja?
Nuk dua të komentoj vendimin se ishte konflikt interesi, për prokurorë dhe gjyqtarë që kanë menduar dhe kanë shkelur ligjin.
Koment për Kongresin?
Nuk kam asnjë koment është vendimi im për të mos bërë politikë.


