Partia Demokratike, krahas aksionit të protestave kombëtare, ka nisur punën për zgjedhjet vendore.
I kontaktuar nga “Panorama”, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, konfirmoi se krahas përgatitjes për zgjedhje të parakohshme është duke u punuar edhe me përzgjedhjen e kandidatëve më të përshtatshëm për zgjedhjet vendore.
“Aktualisht, në fokusin kryesor janë protestat kombëtare dhe më konkretisht ajo e 13 prillit. Opozita e ka bërë të qartë se do të hyj në zgjedhje pa Kryeministër Edi Ramën dhe këtë proces do të duhet ta drejtojë një qeveri tranzitore. Ne, si opozitë, sigurisht që jemi duke vijuar punën për zgjedhje të përgjithshme dhe vendore, përfshirë edhe përzgjedhjen e kandidaturave”, shprehet Bardhi për “Panorama”.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka qenë i kujdesshëm për të mos larguar në asnjë moment fokusin nga aksioni opozitar dhe për të mos folur për kandidatë në zgjedhjet vendore. Në një kohë që maxhoranca ka bërë të njohur kandidatët në 7 bashki të vendit, opozita ka konfirmuar vetëm Xhelal Mziun në Kamzë.
Në një takim me qytetarët në Paskuqan në fillim të muajit mars, Basha deklaroi se kur PD të vijë në qeverisje në bashkëpunim me pushtetin vendor do të sjellin ndryshime pozitive në familjet e shqiptarëve.
“Të jeni të sigurt, se kur t’i bashkojmë forcat me pushtetin lokal, me Xhelal Mziun dhe pushtetin qendror, me një qeveri që do t’ju përgjigjet për hallet tuaja, ndryshimi pozitiv për çdo familje do të ndihet kudo, por për këtë së pari duhet të fitojmë betejën. Që të fitojmë betejën, na duhet vetëm një gjë. Unitet, pjesëmarrje, qëndresë”, deklaroi Basha.
MARRËVESHJA
Partitë opozitare nuk kanë nënshkruar një marrëveshje politike mes tyre për zgjedhjet vendore, por pavarësisht kësaj, Partia Demokratike ka marrë dakordësinë e aleatëve që në rast se maxhoranca do të jetë e gatshme për të dialoguar, të jetë PD ajo që do të nënshkruajë marrëveshjen politike.
Më 11 shkurt, përmes një platforme politike partitë e koalicionit opozitar ngarkuan Partinë Demokratike për realizimin e një marrëveshjeje politike.
“Ne, partitë e Opozitës së Bashkuar, ngarkojmë Partinë Demokratike të Shqipërisë, si partia më e madhe opozitare në vend, që të realizojë marrëveshje individuale për zgjedhjet dhe bërjen efektive të Koalicionit Opozitar, me të gjitha partitë nënshkruese të kësaj Platforme Bashkëpunimi”, thuhet në Platformën e Bashkëpunimit. Objekt i marrëveshjes që opozita do të kërkojë me maxhorancën është krijimi i një qeverie tranzitore pa Edi Ramën Kryeministër dhe krijimin e kushteve të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Krijimin e kushteve të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme parlamentare dhe vendore në Shqipëri, përmes dhënies fund të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, oligarkia dhe korrupsioni i lartë shtetëror; realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, presionit mbi median, si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje”, sqarohet në Platformën e Bashkëpunimit të Forcave Opozitare.


